image S'i la të hynin brenda tezen dhe dajen, fjalët dhe lëvizjet e fundit të polices pasi i vrau familjarët

Kosovë

Detaje ekskluzive/ S’i la të hynin brenda tezen dhe dajen, fjalët dhe lëvizjet e fundit të polices pasi i vrau familjarët

news image

Intriguese dhe dramatike ishin lëvizjet dhe sjelljet e fundit të polices Valdete Bllaca përpara se ta vriste babain, nënën, dy vëllezërit e më pas edhe veten, mesditën e djeshme.

Gazeta Sinjali mëson nga burime të afërta me familjen e polices se personat e fundit që ajo i kishte kontaktuar ishin tezja dhe daja. Kontakti me ta kishte ndodhur vetëm disa minuta përpara se ajo ta shkrepte armën drejt vetes, në fund të një vrasjeje të katërfishtë.

Tezja me bashkëshortin e saj, në ditën tragjike kishin shkuar për vizitë te familja Bllaca, mirëpo te dera i kishte pritur Valdete Bllaca për të mos i lënë të hynin brenda. E shqetësuar, Valdete Bllaca mësohet se u kishte thënë atyre se ata (familja) nuk janë aty dhe se ajo ishte e zënë.

Pasi ishin përshëndetur me policen dhe kishin vendosur të largoheshin nga aty, tezja dhe daja dëgjuan dy krismat e plumbave, kur Valdete Bllaca shkrepi drejt vetes, raporton Gazeta Sinjali.

Dje, Gazeta Sinjali raportoi për skenarin e tmerrshëm që e kishte përgatitur policja Valdete Bllaca. Bazuar në burime të sigurta, policja dyshohet se i ka qëlluar viktimat me nga dy plumba në kokë. Burimet e njëjta kanë bërë të ditur se vëllau i madh, Fisnik Bllaca u qëllua për vdekje nga e motra, derisa ishte duke fjetur në dhomën e tij të gjumit. Babain, Zeqir Bllaca dhe vëllain Blerim Bllaca i kishte vrarë në dhomën e ndejës, ndërsa nënën Hanife Bllaca e qëlloi për vdekje në një dhomë tjetër.

Pasi që vrau të gjithë anëtarët e familjes, policja Valdete Bllaca bëri vetëvrasje në koridorin e shtëpisë së saj.

Gazeta Sinjali do të sjellë detaje të reja nga tragjedia e tmerrshme në Gjilan. /Gazeta Sinjali/