Sot para Gjykatës Themelore të Gjilanit ka dalë Jasmir Morina, drejtor i kompanisë “Tribune SHPK”, i cili dyshohet se ka fituar tender mbi 47 mijë eurosh me dokumente të rreme. Gjykata e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.
Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë për biznesmenin Jasmir Morina, i cili dyshohet se ka kryer veprat penale “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”?
Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se, Jasmir Morina, pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K., Prishtinë, ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Renovimi dhe meremetimi i objekteve spitalore” dhe “Rregullimi i nxehjes qendrore”, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.
Kështu, sipas Prokurorisë ai dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme, ka paraqitur dokumentacion të rremë dhe ka arritur të shpallej fitues i tenderit prej 47,058.03 euro.
Në dokumentacionin ofertues, i njëjti ka paraqitur diplomën e inxhinieres së arkitekturës F.K., duke e prezantuar atë si pjesë të stafit të kompanisë së tij “Tribune” SH.P.K, pastaj duke e prezantuar një kontratë mbi vepër të cilën e ka nënshkruar në emër të F.K., dhe duke përpiluar Cv dhe referenca me përmbajtje të rreme, të kompanisë së tij.
I njëjti kishte paraqitur edhe dy referenca të lëshuara nga kompanisë “GJK Keno” dhe “TIC Consulting”, duke e prezantuar F.K. gjoja se e njëjta në cilësinë e inxhinieres ka qenë pjesë e stafit mbikëqyrës të këtyre dy kompanive, thuhet në dosjen e Prokurorisë për të dyshuarin Morina.
Lidhur me këtë ai dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.
Jasmir Morina, drejtor i kompanisë “Tribunë SHPK”, figuron si drejtor i kësaj kompanie që nga viti 2014, teksa në CV-në e tij të prezantuar në rrjetin social Linkdin, shkruhet se ka të përfunduar master në Inxhinieri Ndërtimore në Universitetin e Prishtinës në vitin 2008.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.