image Shumë procese gjyqësore të filluara prej vitesh ende s'kanë marrë epilog

Rajon

Shumë procese gjyqësore të filluara prej vitesh ende s’kanë marrë epilog

news image

Në Maqedoninë e Veriut është bërë e zakonshme zvarritja e proceseve gjyqësore deri në vjetërsimin e tyre. Edhe pse tashmë jemi në vitin 2023, shumë procese gjyqësore të cilat ka vite që kanë filluar ende nuk kanë marrë epilog. Një sërë seancash gjyqësore për disa lëndë janë caktuar vetëm për muajin janar, megjithatë, familjarët e të dëmtuarve i kanë humbur shpresat në sistemin gjyqësor të vendit.

Familjarët dhe të afërmit e 16 viktimave të aksidentit tragjik në Llaskarcë tanimë 4 vite presin drejtësinë të vijë në vend, ndërsa gjykimi për këtë rast rifillon më 24 janar të këtij viti. Xhevat Kamberi humbi djalin në këtë tragjedi. Për ALSAT thotë se as këtë vit nuk pret që të ketë epilog.

“Jo absolutisht, jo tash, por asnjëherë nuk do kem shpresë që ky rast do përfundojë ashtu siç duhet. Veç diçka të ju them atyre që e komplikojnë dhe e zvarrisin procedurën, unë djalin tim e kam humbur dhe s’kam si ta ndryshoj këtë, por besoj fuqishëm se edhe ata do i mbërrije drejtësia një ditë, herët apo vonë. Ne familjarët ndjehemi shumë të dobët kundrejt shtetit, nuk kemi asnjë fuqi veçse të shkojmë në ato seancat, të cilat, për hir të së vërtetës nganjëherë më duken qesharake, nuk ka gjë prej kësaj pune, jo”, tha Xhevat Kamberi.

Më 16 janar gjithashtu vijon seanca e radhës për djegien e Spitalit Modular në Tetovë. Edhe familjarët e viktimave janë në pritje të një aktgjykimi të plotfuqishëm. Ibin Emshiu në këtë tragjedi humbi babanë dhe vëllain.

“Nuk mund t’i harroj përpjekjet dhe ulurimat që dëgjoheshin nga babai dhe vëllai si dhe pacientët tjerë që humbën jetën në këtë tragjedi. Të dëgjosh britmat dhe ulurimat e babait dhe vëllait dhe të mos mund të bësh gjë është dhimbje e madhe. Gjithë këto zvarritje na çojnë në dyshim, shpresoj në drejtësinë ndërkombëtare që sa më shpejtë të zbardhet rasti sepse sot e treguan se siguri nuk ka”, deklaroi Ibin Emshiu.

Tash më shumë se 1 vjet drejtësi presin edhe të dëmtuarit nga aksidenti i Besa Trans në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona ndërsa seancat gjyqësore vazhdimisht anulohen, shtyhen apo përfundojnë pa rezultate konkrete, në bisedë me familjarë të viktimave, ngrenë dyshime se procesi gjyqësor qëllimisht zvarritet, në tentativë për të shpëtuar fajtorët. Nga ana tjetër edhe rastet për zyrtarë e ish-zyrtarë kanë ngjarë të zvarriten deri në vjetërsimin e tyre, raporton alast.mk. Për më shumë se 1 vjet, këtë muaj do vazhdojnë të gjykohen Dragi Rashkovski dhe Muhamed Zeqiri ndërkaq Sasho Mijalkov është shumë afër shpëtimit nga burgu për rastin Titanik 2.

/GazetaSinjali/