image Shtyhet gjykimi ndaj ministres Meliza Haradinaj Stublla, kjo është arsyeja

Kosovë

Shtyhet gjykimi ndaj ministres Meliza Haradinaj Stublla, kjo është arsyeja

news image

Ka dështuar të mbahet rigjykimi ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila akuzohet për mos raportim të pasurisë.

Kjo seancë është shtyer për 18 dhjetor të këtij viti, pasi që e akuzuara, nuk ishte në sallë, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Avokatja Merita Emini-Stublla, që është duke e mbrojtur ministren Haradinaj-Stublla, për këtë rast ka dorëzuar në gjykatë një parashtresë përmes të cilës ka njoftuar se klientja e saj ka pasur kontakt me një person të infektuar me COVID-19 dhe nuk mund të paraqitet në këtë seancë.

Haradinaj-Stublla ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor 2019, për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Për këtë vepër penale, ajo ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht. Gjithashtu, ajo ishte dënuar edhe me njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit, detyrohej ta paguajë brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, kurse në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohet me burgim, ku do të llogaritet 20 euro, për një ditë burgim.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelores dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

/Gazeta Sinjali/