image Shtohen trazirat në universitetet amerikane mes protestave për luftën në Gazë

Botë

Shtohen trazirat në universitetet amerikane mes protestave për luftën në Gazë

news image

Kundër-protestuesit “sulmuan me forcë” një kamp me tenda të protestuesve pro-palestinezë në Univeristetin e Kalifornisë, në Los Anxheles, herët të mërkurën dhe aktivistët u përplasën me forcat policore që shkatërruan tendat e tyre në Universitetin “Viskonsin-Madison”, në Medison, pjesë e përshkallëzimit të dhunës në disa universitete amerikane lidhur me luftën në Gazë.

15 persona mbetën të plagosur gjatë përplasjeve në Univeristetin e Kalifornisë, mes të cilëve një person që u shtrua në spital, tha Presidenti i Universitetit të Kalifornisë.

Ndërkohë, të martën në mbrëmje, policia e Nju Jorkut hyri në Universitetin ‘Columbia’ pasi universiteti kërkoi ndihmë. Ata larguan një kamp me tenda dhe larguan turmën që kishte marrë nën kontroll sallën ‘Hamilton’.

Kancelari i Universitetit të Kalifornisë Gene Block tha përmes një deklarate se “një grup nxitësish” të martën “sulmuan me forcë” kampin e tendave të protestuesve pro-palestinezë duke detyruar universitetin të kërkonte ndihmë nga organet ligjzbatuese.

Pas disa orësh përplasjeje mes grupeve pro-palestineze dhe pro-izraelite, policia ndau grupet dhe rivendosi qetësinë.

Të mërkurën, protestuesit pro-palestinezë rindërtuan barrikadën përreth kampit të tyre. Nuk pati shenja përplasjeje ndërsa në universitet ka prani të punonjësve të rendit.

Të mërkurën, në Medison, kryeqytet i Viskonsinit, policët me mburoja hoqën të gjitha tendat duke lënë vetëm një dhe shtynë me force protestuesit, çka solli përleshje. Katër police mbetën të plagosur, mes të cilëve një që u qëllua në kokë, sipas autoriteteve.

Brenda disa orësh, protestuesit ngritën më shumë tenda brenda kampusit të Universitetit të Viskonsinit.

Më shumë se 30 persona u arrestuan, shumica u lane të lirë. Ndaj 4 personave u ngritën akuza.

Kampet me tenda nga protestues që u bëjnë thirrje universiteteve që ndërpresin lidhjet financiare me Izraelin ose kompanitë që mbështesin luftën në Gazë janë përhapur në kampuset univeristare në mbarë vendin në një lëvizje studentore si asnjë tjetër gjatë këtij shekulli.

Gjatë protestave ka patur përleshje me forcat e rendit dhe më shumë se 1300 të arrestuar.

Protestat nëpër universitetet amerikane filluan në Universitetin ‘Columbia’ si reagim ndaj ofensivës së Izraelit në Gazë dhe pasi Hamasi kreu një sulm terrorist në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor. Militantët vranë rreth 1200 njerëz, shumica prej tyre civilë dhe morën afërsisht 250 pengje, sipas të dhënave izraaelite. Duke u zotuar se do të eleminojë Hamasin, Izraeli ka vrarë më shumë se 34,000 palestinezë në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje që kontrollohet nga Hamasi.

Izraeli dhe mbështetësit e tij i kanë cilësuar protestat universitare si antisemite, ndërsa kritikët e Izraelit thonë se akuzat bëhen për të heshtur kundërshtitë. Ndonëse disa protestues janë filmuar duke bërë komente antisemite ose kërcënime të dhunshme, organizatorët e protestave, disa prej të cilëve janë hebrenj, thonë se kjo është një lëvizje paqësore që synon mbrojtjen e të drejtave palestineze dhe që proteston kundër luftës.

/GazetaSinjali/