image Shtohen ankesat e qytetarëve ndaj punës së policëve të Kosovës

Siguri

Shtohen ankesat e qytetarëve ndaj punës së policëve të Kosovës

news image

Nga 124 ankesa të bëra nga qytetarët vetëm gjatë janarit, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet për 46 raste të mundshme ku zyrtarët policorë kanë bërë shkelje të ndryshme.

IPK-ja thotë se trendi i ankesave ndaj zyrtarëve policorë janë në rritje dhe sipas tyre ka disa arsye pse ka ndodhur kjo.

“Kjo po ndodh për shkak të besueshmërisë që kanë qytetarët për Inspektoratin Policorë të Kosovës, por edhe për shkak të angazhimeve të shumta që kanë zyrtarët policorë si në luftimin e kriminalitetit ashtu edhe në zbatimin e masave të pandemisë”, deklaroi zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.

Vetëm gjatë vitit të kaluar IPK-ja ka pranuar 2 mijë e 13 ankesa.

Ky numër sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi është shqetësues.

“Është shqetësuese kur zyrtarët policorë që në bazë të Kushtetutës do të duhej të kujdeseshin për rendin publik në Kosovë, përfshihen në aktivitete kriminale dhe cenojnë të drejtat e qytetarëve”, deklaroi për RTV Dukagjinin Ehat Miftaraj.

Ai thotë se nuk mjafton vetëm ndjekja penale ndaj policëve, por duhet edhe trajnimeve rreth përgjegjësive që kanë.

IPK-ja ka arrestuar 34 zyrtarë policorë dhe ka bërë 85 rekomandime për suspendim gjatë vitit të kaluar.

/GazetaSinjali/