image Shteti detyrohet ta lirojë djalin e El Chapos, pasi banda e tij e frikshme mbërrin në qytet

Botë

Meksikë/ Shteti detyrohet ta lirojë djalin e El Chapos, pasi banda e tij e frikshme mbërrin në qytet

news image

Forcat meksikane të sigurisë u detyruan ta lirojnë një prej djemve të El Chapos dhe të tërhiqeshin pasi u rrethuan nga pjesëtarët e kartelit të Sinaloas, në një betejë të vërtetë mes rrugëve të qytetin Kuliakan.

Autoritetet arritën të arrestonin për pak kohë djalin e El Chapo-s, Ovidio Guzman Lopez, duke bërë që “vartësit” e tij të sulmonin karvanin me ushtarë për ta liruar.

Ministri meksikan i Sigurisë, Alfonos Durazo, tha se 30 pjesëtarë të Gardës Kombëtare, që luan rolin e policisë ushtarake, po patrullonin qytetin, rreth gati 600 km në veriperëndim të Meksiko Sitit, kur nga një shtëpi buzë rrugës nisën të qëllonin në drejtim të tyre. Ushtarët reaguan dhe pasi arritën të futeshin brenda, kapën katër pjesëtarë të kartelit të Sinaloas, mes tyre edhe djalin e El Chapo-s, ndaj të cilit rëndon një akuzë për trafikim lëndësh narkotike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por njerëz të armatosur rëndë rrethuan shtëpinë dhe pas disa orës luftimesh, ministri tha se u mor vendimi që të lirohej Ovidio Guzman, në mënyrë që skuadra e Gardës Kombëtare të tërhiqej pa pasoja fatale.

Drejtori i Sigurisë Publike i Sinaloas, Cristóbal Castañeda, deklaroi për një media vendase se gjatë shkëmbimit të zjarrit kishin vdekur 2 persona dhe ishin plagosur 21 të tjerë, ndërsa avokati i familjes së El Chapo-s, José Luis González Meza, tha se kishte marrë informacione se Ovidio ishte gjallë dhe i lirë, por nuk e dinte vendndodhjen e tij.

Ernesto Martínez, një gazetar kronike në Sinaloa, tha për “New York Times” se beteja kishte nisur rreth orës 15:30 pasdite dhe kishte zgjatur deri në orët e mbrëmjes. Pjesëtarët e kartelit kishin bllokuar rrugën e qytetit duke i vënë flakën disa makinave. Ovidio, bashkë me vëllezërit e tij, besohet se ka rol të rëndësishëm në punët e Kartelit të Sinaloas tashmë që babai i tyre është në burg në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ai nuk është figura kryesore. Dy vëllezërit e tjerë, Iván Archivaldo Guzmán dhe Jesús Alfredo Guzmán, të cilët njihen si “Los Chapito”-s, ose “Chapo-t e vegjël”, besohet se komandojnë kartelin, bashkë me Ismael “El Mayo” Zambada.