image Shtatzënja në Pejë denoncon bashkëshortin për dhunë, tentoi të ikte nga Policia duke u hedhur nga kati i dytë

Siguri

Shtatzënja në Pejë denoncon bashkëshortin për dhunë, tentoi të ikte nga Policia duke u hedhur nga kati i dytë

news image

Një rast i dhunës në familje është raportuar pas mesnate në Pejë, ku një grua shtatzënë ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike dhe psikike, ndërsa i dyshuari tentoi t’i ikte Policisë duke u hedhur nga kati i dytë i shtëpisë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 28 qershor, rreth orës 01:00, në rrugën “KFOR-i” në Pejë.

Pas pranimit të informatës, patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka takuar viktimën, e cila u ka treguar zyrtarëve se bashkëshorti i saj ndodhej në katin e dytë të shtëpisë. Sapo ka vërejtur Policinë, i dyshuari ka tentuar të largohej duke kërcyer nga kati i dytë, por është ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor.

Ndërkohë, viktima, e cila është shtatzënë, është dërguar në spital për tretman mjekësor.

Gjatë intervistimit, ajo ka deklaruar se bashkë me bashkëshortin dhe djalin e tyre 3-vjeçar kishin qenë në një dasmë, ku i dyshuari kishte konsumuar alkool. Pas përfundimit të dasmës, ai dyshohet se kishte drejtuar automjetin me shpejtësi të madhe, duke ua rrezikuar jetën, ndërsa pasi kishin mbërritur në shtëpi e kishte ofenduar, kishte bërtitur ndaj saj dhe nuk e kishte lejuar të dilte nga banesa duke ia mbyllur derën.

Viktima ka deklaruar gjithashtu se dhuna fizike dhe psikike nga bashkëshorti kishte qenë e vazhdueshme edhe më herët.

Testi i alkoolit i kryer ndaj të dyshuarit ka rezultuar me 0.87 promila alkool në gjak.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/