Ushtria iraniane ka njoftuar këtë të mërkurë se shtatë ushtarë janë vrarë si pasojë e sulmeve amerikane të kryera gjatë orëve të fundit në juglindje të Iranit.
Sulmet kanë shënuar një përshkallëzim të ri të tensioneve mes dy vendeve, duke rrezikuar edhe protokollin e marrëveshjes me Uashingtonin. Ndërkohë, edhe porti i Bushehrit, në jugperëndim të Iranit, është shënjestruar nga sulmet e reja.
“Këtë mëngjes, ushtria terroriste amerikane lëshoi 13 raketa” kundër një kampi të vendosur pranë qytetit të Iranshahr, 1,500 kilometra nga Teherani, tha ushtria në një deklaratë, duke specifikuar se shtatë ushtarë u vranë.
Sipas të njëjtit burim, sulmet ishin të dizajnuara për të shkaktuar sa më shumë viktima të ishte e mundur, pasi 13 raketat goditën një shtëpi, kulla vrojtimi dhe ambiente akomodimi.
Ushtria iraniane ka bërë të ditur se pati edhe persona të tjerë të prekur nga sulmet dhe ka premtuar një “përgjigje vendimtare” ndaj tyre.
Ndërkohë, porti i Bushehrit, ku ndodhet i vetmi termocentral bërthamor i Iranit, është shënjestruar gjithashtu nga sulmet e reja amerikane, por sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA nuk janë raportuar viktima.
“Armiku amerikan sulmoi sot tre pika në Bushehr”, tha për IRNA guvernatori i qytetit, Mohammad Mozaffari.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!