image Shtatë persona vdesin në turmat e krijuara jashtë Aeroportit të Kabulit

Botë

Shtatë persona vdesin në turmat e krijuara jashtë Aeroportit të Kabulit

news image

Shtatë civilë afganë kanë vdekur në turmat e krijuara jashtë Aeroportit të Kabulit, derisa njerëzit kanë tentuar të ikin nga regjimi i talebanëve në Afganistan, ka thënë Ministria e Mbrojtjes në Britani të Madhe.

Kushtet në teren mbesin jashtëzakonisht sfiduese, mirëpo ne jemi duke bërë gjithçka që mundemi për të menaxhuar situatën në mënyrë sa më të sigurt që mundemi”, ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie përmes një deklarate.

Skenat kaotike jashtë Aeroportit të Kabulit janë parë tash e disa ditë, pasi përveç njerëzve që kanë tentuar të ikin, edhe qeveritë kanë nisur procedurat e evakuimit të qytetarëve të tyre dhe kolegëve afganë.

Rreth 4,500 trupa amerikane janë duke kontrolluar përkohësisht Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul.

Edhe 900 ushtarë britanikë janë po ashtu duke patrulluar në aeroport, për të siguruar fluturimet e evakuimit.

Militantët talebanë është raportuar se kanë krijuar pika kontrolli në perimetrin afër aeroportit dhe janë duke bllokuar afganët pa dokumente udhëtimi që të hyjnë në atë zonë.

Ushtarët amerikanë duke ruajtur Aeroportin e Kabulit. Gusht 2021.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar qytetarët e vet që të shmangin Aeroportin e Kabulit, pas shqetësimeve për sulme potenciale nga dega e grupit militant, Shteti Islamik në Afganistan.

Alarmi për sigurinë, që është lëshuar të shtunën, u kërkon shtetasve amerikanë që të qëndrojnë larg këtij ambienti “për shkak të kërcënimeve për sigurinë jashtë portave”.

Vetëm individëve që iu kërkohet ta bëjnë këtë rrugëtim nga ndonjë përfaqësues i Qeverisë amerikane, mund të veprojnë ashtu, është thënë në njoftim.

Zyrtarë amerikanë për mbrojtje kanë thënë se janë duke monitoruar zhvillimet dhe janë duke shikuar për rrugë alternative.

Afganët duke pritur për t’u larguar nga Afganistani, përmes aeroportit të Kabulit.

Talebanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

Talebanët kanë fituar kontrollin e Afganistanit pak ditë para afatit të fundit 31 gusht për tërheqje të forcave ndërkombëtare nga ky shtet.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talebanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talebanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara, raporton REL.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

/GazetaSinjali/