Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dalë me komunikatë për media lidhur me aksionin e sotëm policor ‘Brezovica 6’, i cili ka rezultuar me arrestimin e shtatë persona, raporton Gazeta Sinjali.
Ashtu siç raportoi ekskluzivisht pak më parë Sinjali, Prokuroria njofton se të dyshuarit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh nën dyshimet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit , “Fajdeja” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
“gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur njëmbëdhjetë (11) lokacione të ndryshme, konkretisht tetë (8) lokacione në qytetin e Prishtinës, dy (2) në Podujevë dhe një (1) në Fushë Kosovë, ku me ç’rast, janë arrestuar shtatë (7) persona të dyshuar dhe të njëjtit me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 422 , “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova të ndryshme materiale, për të cilat Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të iu informoj në vazhdimësi.
Ndryshe, Sinjali pak më parë raportoi se cak i bastisjes janë edhe pronat e pronarit të kompanisë ‘Al Trade’, Bajram Gashani dhe asamblistit të Vetëvendosjes në Prishtinë, Berat Lahu.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.