image Shtatë komuna të mëdha nuk respektuan afatet kohore për aktivitetet e prokurimit

Financa

Shtatë komuna të mëdha nuk respektuan afatet kohore për aktivitetet e prokurimit

news image

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Instituti Demokratik të Kosovës (KDI), shtatë komuna të mëdha në vend nuk kanë respektuar afatet kohore në realizimin e aktiviteteve të prokurimit për vitin 2021.

Naim Cahani nga KDI-ja, gjatë shpalosjes së raportit “Shpenzimet e parasë publike në kategorinë e subvencioneve dhe investimeve kapitale gjatë mandatit qeverisës 2018-2021”, theksoi se çuditërisht Komuna e Gjilanit si një ndër komunat më të mëdha në vend, në kategorinë e kontratave për punë kishte paraparë më së paku aktivitete të prokurimit gjatë vitit që lamë pas.

“Komuna e Prizrenit mbetet një ndër komunat e cila kishte paraparë më së shumti aktivitete të prokurimit në kategorinë e kontratave për punë, me gjithsej 113 aktivitete, ndërsa Komuna e Gjilanit për çudi një ndër komunat më të mëdha, mbetet një ndër komunat e cila në kategorinë e kontratave për punë kishte paraparë gjatë vitit 2021 vetëm 16 aktivitete të prokurimit.”

Komuna e Prishtinë ka pasur 91 aktivitete, pastaj Peja me 88 aktivitete, Mitrovica e Jugut me vetëm 30 aktivitete… Në kuadër të hulumtimit kemi identifikuar që komuna e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt, Mitrovica e Jugut, Gjilani dhe komuna e Gjakovës nuk kanë respektuar afatet kohore për realizimin e aktiviteteve të prokurimit… Pra, janë pothuajse shtatë komunat më të mëdha kanë dalë që nuk kanë respektuar afatet kohore të parapara”, theksoi ai.

Cahani theksoi se komunat gjatë mandatit qeverisës kanë vazhduar të kenë trend të rritjes së planifikimit buxhetor, sipas të cilit në mesin e shtatë komunave më të mëdha, ajo e Mitrovicës së Jugut mbetët njëra ndër komunat e cila kishte trend më të madh të rritjes së planifikimit të buxhetit.

“Komuna e Mitrovicës së Jugut, në bazë të hulumtimit ka dalë që është një ndër komunat e cila kishte trend më të madh të rritjes së planifikimit të buxhetit krahasuar me vitin e parë dhe të fundit të mandatit qeverisës në 19.88 për qind. Komuna e Prishtinës me 18.70 për qind, komuna e Prizrenit me një rritje jo shumë të madhe me 5.9 për qind të planifikimit të buxhetit.”

Planifikimet e buxhetit të komunave për vitin 2021 ishin më të vogla krahasuar me vitin 2020, kjo për shkak të periudhës së pandemisë COVID-19, si dhe instruksionet e parapara nga Ministrisë së Financave ku kemi pasur shkurtim të planifikimeve të buxheteve për vitin 2021, krahasuar me vitin 2020”, theksoi Cahani.

Cahani ka thënë se Komuna e Prishtinës mbetet njëra ndër komunat e cilat më së shumti kishte rritje të planifikimeve buxhetore në kategorinë e subvencioneve me 120.16 për qind.

Derisa sipas tij, Komuna e Ferizajt është njëra ndër komunat që më së paku ka pasur planifikime buxhetore në kategorinë e subvencioneve./GazetaSinjali/