Kardiologu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Gani Bajraktari, ka publikuar vendimin e Inspektoratit të Punës për rastin e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes këtij vendimi që është marrë sot, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) obligohet që t’i ekzekutojë pagën Bajraktarit për muajt që kishte qenë i larguar nga puna, që janë plotë 15 sosh.
Këtë obligim ShSKUK është i detyruar ta përmbush brenda 8 ditësh.
“SHSKUK obligohet që të ekzektojë 15 paga për mua (brenda 8 ditësh), për të cilat unë nuk kam punuar asnjë ditë”, ka shkruar ndër të tjera Bajraktari në Facebook.
Ai thotë se këtë dëm buxhetit të varfër të Kosovës ia ka shkaktuar ish-drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, të cilin e quan matrapaz që sipas tij, është shkarkuar nga posti për shkak të dallavereve, shpërdorimit të buxhetit e detyrës zyrtare.
“Një mashtrues ordiner i pacientëve dhe institucioneve me paraqitje të rremë për 15 vjet me radhë (dhe në vazhdim) me faksimil për të cilin nuk ka licencë; një shkatërrues i infrastrukturës profesionale të institucionit më të madh shëndetësor në Kosovë, që krejt aksidentalisht e arbitrarisht ishte vënë në atë pozitë (për të cilën nuk kishte plotësuar kriteret minimale të parapara); një njeri që nuk kishte kaluar kurrë lumin Sava, e që përveç gjuhës së hasmit tonë shekullor (jo të tij), në shekullin 21 nuk dinte asnjë fjalë tjetër të huaj”, ka shkruar tutje kardiologu.
Madje, kardiologu Bajraktari ka paralajmëruar se do të ushtrojë padi dhe kallëzim penal ndaj Sejdiut dhe të gjithë atyre, të cilët thotë se me vetëdije kanë tentuar t’ia njollosin personalitetin.
Bajraktari ishte përjashtuar nga puna nga Komisioni Disiplinor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në korrik të 2019-ës, tre muaj pasi ai u suspendua për “mosofrim të ndihmës mjekësore”.
Mirëpo, që nga fillimi ai këtë vendim të komisionit disiplinor e kishte konsideruar të dirigjuar dhe hakmarrje nga ana e Sejdiut.
Ai ishte rikthyer në punë, me vendim të Komisionit Disiplinor, në tetor të 2020-ës./Gazeta Sinjali/