Ndonëse, dikur ishte një emigrante e cila u largua nga Shqipëria në drejtim të Britanisë së Madhe, Mirela Sula, tashmë po drejton një lëvizje botërore, përmes së cilës synohet promovimi dhe forcimi i pozitës së femrës në botën e biznesit.
Sula e cila ka arritur me Global Women Club që të shtrihet në 27 shtete të ndryshme të botës, duke bartë në gjirin e këtij organizimi me mijëra anëtarë, shkruan telegrafi.
“Në kuadër të këtij aktiviteti kemi ardhur në Kosovë për ta lansuar projektin tonë. Nuk është qëllimi vetëm të fillojmë, por edhe të qëndrojnë dhe ta vazhdojmë aktivitetin”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, përshtypjet e të gjitha grave që drejtojnë qendrat e Global Women Club nëpër shtete të ndryshme, është se femrat në Kosova janë të mençura, kanë një maturi dhe kanë potencial shumë të madh për punë.
“Unë mendoj se gratë shqiptare duhet ta hapin mendjen dhe të provojnë, sepse pa provuar nuk e di çfarë rezultatesh mund të arrish në jetën tënde”, ka shtuar Sula.
Ajo ka thënë se lëvizja të cilën e drejton ajo synon rritjen e aftësisë për të fituar më shumë, për t’i bërë gratë më të pavarura financiarisht.
“Global Women Club, synon që t’i shoh gratë ta pavarura financiarisht, me vetëbesim të lartë, më konfidencë, duke rritur aftësinë për të fituar dhe për të besuar te vetja”, ka shtuar Sula.
Ajo ka porositur femrat se duhet të investojnë tek vetja, sepse sipas saj, investimi më i mirë është investimi tek vetja.
“Nuk është investimi vetëm te pamja, po sigurisht që është e rëndësishme në aspektin sipërfaqësor. Gratë e Kosovës dhe ato shqiptare mund të them kujdesen për vete, në të njëjtën mënyrë ka ardhur koha të investojnë në vetëzhvillimin e tyre”, ka theksuar Sula.