Një 27-vjeçar shqiptar nga Britania e Madhe, Ardi Balliu, po lufton për jetën pas një aksidenti të rëndë të ndodhur gjatë pushimeve në bregdetin e Marbella-s në Spanjë.
Sipas raportimeve të mediave britanike, ai ka pësuar thyerje të shtyllës kurrizore pasi u hodh me kokë në ujë në një plazh të frekuentuar në zonën e Costa del Sol, duke mbetur i palëvizshëm në ujë.
Ngjarja ndodhi teksa ai dhe një mik kishin vizituar një gji të njohur për turistët, ku pas kërcimit në det, ai nuk u rikthye më në sipërfaqe. Dëshmitarët në vendngjarje ndërhynë duke e nxjerrë nga uji dhe duke i dhënë ndihmën e parë.
Pas daljes në breg, 27-vjeçari ka deklaruar se nuk i ndiente këmbët, ndërsa më pas është transportuar me helikopter drejt spitalit për trajtim urgjent.
Mjekët raportojnë se gjendja e tij mbetet kritike, ndërsa familja ka nisur një fushatë për mbledhje fondesh për transportimin e tij në Britani për trajtim të mëtejshëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!