Një shtetas shqiptar është ndaluar nga Policia Federale gjermane në afërsi të Mittenwaldit, nën dyshimin për kontrabandë të migrantëve, pasi në automjetin e tij me targa gjermane u gjetën pesë të mitur nga Kolumbia.
Gjatë një kontrolli kufitar në autostradën B2, autoritetet konstatuan se njëri nga të rinjtë, 15 vjeç, ndodhej në bagazhin e automjetit. Sipas deklarimeve të shoferit, ai kishte vendosur të transportonte të miturin në atë hapësirë pasi nuk kishte më vende të lira në makinë.
Policia bëri të ditur se asnjëri prej pesë të rinjve nuk posedonte dokumentet e nevojshme për hyrje në Gjermani. Megjithatë, sipas autoriteteve, ata kishin qenë të regjistruar më herët në territorin gjerman.
Shoferi shqiptar u identifikua me një leje qëndrimi dhe patentë shoferi gjermane. Pas ndalimit dhe marrjes në pyetje, ai u lirua, ndërsa ndaj tij pritet të zhvillohet procedurë penale nën dyshimin për kontrabandë të qenieve njerëzore.
Ndërkohë, autoriteti përgjegjës për emigracionin do të vendosë për statusin dhe qëndrimin e pesë të miturve kolumbianë në Gjermani.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!