Si masë reciprociteti ndaj Serbisë, institucionet e Kosovës para 5 muajve kanë vendosur që të mos u njihen pasaportat e shtetasve serbë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Qytetarët e Serbisë mund të udhëtojnë përmes aeroportit vetëm nëse kanë një letërnjoftim, ndërsa ata nën moshën 16 vjeçare, duhet të kenë certifikatën me fotografi, shkruan Albinfo.ch.
E këtë masë tani po e aplikon edhe Aeroporti i Cyrihut, ku një shqiptare nga Presheva nuk ka mundur të udhëtoj nga Cyrihu për në Prishtinë, me arsyen se djali i saj nuk kishte fotografi në certifikatën e tij. Sipas viktimës, vendimi ka qenë i paarsyeshëm pasi djali i saj, kishte lindur në Zvicër.
Për fat të keq qytetarët nga Lugina po përballen me këtë vështirësi që në një farë mënyre u është ndaluar udhëtimi për në Prishtinë, ngase shumica nuk kanë letërnjoftime dhe certifikata të Serbisë.
“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Kosovë më kanë thënë se mund të udhëtoj me këtë dokument ngase tashmë është e pamundur të marrë letërnjoftim serb me arsyetimin se unë nuk kam vendbanim në Bujanoc, Madje as në rrugë tokësore nuk mund të shkoj në Gjilan”, thotë ankuesja.
Ndryshe, Serbia nuk njeh pasaportat e as shtetin e Kosovës, e për të kaluar çdo pikë kufitare që lidh Kosovën me Serbinë qytetarët e Kosovës këtë duhet ta bëjnë vetëm me letërnjoftime./Gazeta Sinjali/