Turizmi në Shqipëri ka vijuar trendin rritës edhe gjatë muajit maj 2026, duke shënuar një rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve të huaj.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë majit në vend kanë hyrë mbi 1.1 milionë shtetas të huaj, që përfaqëson një rritje prej 15.9% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Në total, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj kanë arritur në 1.88 milionë, ndërsa daljet janë rritur në mbi 1.8 milionë, duke reflektuar një rritje vjetore si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Rritje janë shënuar edhe te shtetasit shqiptarë, me mbi 736 mijë hyrje gjatë muajit maj, ndërsa pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj kanë ardhur për qëllime turistike dhe personale, si pushime, vizita familjare apo transit.
Sipas INSTAT, rreth 98% e të huajve që hynë në Shqipëri gjatë kësaj periudhe kanë ardhur për arsye personale, ndërsa një rënie është vërejtur tek hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale.
Evropa vazhdon të mbetet tregu kryesor i turizmit për Shqipërinë, me shumicën e vizitorëve që vijnë nga Evropa Jugore dhe një pjesë nga Evropa Perëndimore.
Në pesë muajt e parë të vitit 2026, Shqipëria ka pritur rreth 3.71 milionë vizitorë të huaj, duke shënuar një rritje prej 8.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!