Dy helikopterët “Black Hawk” kanë mbërritur së fundmi në Shqipëri dhe nuk do të jenë të vetmit që i bashkohen flotës ajrore.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, thotë se deri në vitin 2030 synohet të kemi një flotë prej 6 helikopterësh Black Hawk.
“Do të vazhdojmë të unifikojmë sa më shumë të mundim flotën tonë ajrore drejt helikopterëve Black Hawk. Jemi në bisedime për dy të tjerë në periudhën afatmesme dhe deri në vitin 2030 ne shpresojmë që Shqipëria të ketë një flotë prej gjashtë helikopterësh “Black Hawk”. Është një donacion i partnerëve tanë strategjikë të SHBA, por edhe me një pjesë nga buxheti i shtetit”.
Dy helikopterët “Black Hawk” janë porosia e parë e Shqipërisë për këtë model, mbështetur nga fondi i ndihmës së SHBA me vlerë mbi 50 milionë Dollarë. I Ngarkuari me Punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë David Wisner nga baza ajrore e Farkës vlerëson përgatitjen e pilotëve shqiptarë dhe ekipeve të mirëmbajtjes.
“Kemi dëgjuar nga Uashingtoni, nga Alabama dhe gjithë trajnimet e tjera që ju keni bërë se çfarë pilotësh të shkëlqyer keni. Jemi vërtetë krenarë për këtë partneritet”./Tv Klan/