image Shqipëria miraton rregulla të reja për kalimin kufitar, ndryshime për të miturit dhe procedura të përshpejtuara

Shqipëri

Shqipëria miraton rregulla të reja për kalimin kufitar, ndryshime për të miturit dhe procedura të përshpejtuara

news image

Këshilli i Ministrave në Shqipëri ka miratuar një paketë të re rregullash që ndryshon ndjeshëm procedurat e verifikimit në pikat e kalimit kufitar, duke sjellë standarde të reja në përputhje me Kodin e Kufijve Shengen të Bashkimit Evropian.

Vendimi shfuqizon rregulloret e mëparshme të viteve 2016 dhe 2023 dhe synon forcimin e kontrollit kufitar, rritjen e sigurisë dhe modernizimin e procedurave të kalimit.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me udhëtimin e të miturve. Sipas rregullave të reja, fëmijët nën 16 vjeç mund të udhëtojnë vetëm të shoqëruar nga një i rritur dhe me deklaratë noteriale të firmosur nga të dy prindërit. Ndërsa grupmosha 16–18 vjeç mund të udhëtojë edhe e pashoqëruar, por me autorizim të prindërve që përcakton vendqëndrimin dhe personin pritës.

Për fëmijët me prindër të divorcuar, kërkohet dokumentacion gjyqësor ose autorizim i të dy prindërve, ndërsa të dhënat do të regjistrohen në sistemin TIMS për kontroll më të saktë kufitar.

Rregullorja i jep gjithashtu kompetenca më të zgjeruara Policisë Kufitare për verifikime shtesë në rast dyshimi, me qëllim parandalimin e trafikimit dhe abuzimeve me të miturit.

Vendimi përcakton edhe kategori që përfitojnë kalim të përshpejtuar, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, diplomatë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe forca të NATO-s, si dhe punonjës të shërbimeve emergjente.

Po ashtu, janë standardizuar procedurat e kontrollit sipas mjeteve të transportit, duke përfshirë rregulla të veçanta për makina, autobusë, tragete, avionë dhe trena, me synim lehtësimin e fluksit dhe rritjen e efikasitetit në pikat kufitare.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe obligon Policinë e Shtetit të përditësojë menjëherë sistemet dhe udhëzimet operative në të gjitha pikat kufitare të vendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/