Pas rënies së “shtetit digjital” në vitin 2022 dhe valës së sulmeve të përsëritura kibernetike, Shqipëria ka përqendruar përpjekjet drejt forcimit të sigurisë digjitale. Floreta Faber thekson se megjithëse Irani mbetet një ndër burimet kryesore të sulmeve, kërcënimi tashmë vjen nga një spektër më i gjerë shtetesh, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ka ndryshuar shumë mënyra se si ne përgjigjemi. Irani nuk është më i vetmi armik digjital,” tha ajo.
Gjatë vitit të kaluar, mbi dy milionë përpjekje për sulme kibernetike janë regjistruar në Shqipëri, duke synuar sektorin energjetik, institucionet financiare dhe kompanitë e sigurimeve. Hakerët përdorën programe keqdashëse për të depërtuar në pajisjet dhe sistemet e qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve.
Për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka hartuar Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025–2030, e cila tashmë është hedhur në konsultim publik. Zv.drejtoresha e AKSK thekson se fokusi kryesor do të jetë mbrojtja e infrastrukturave kritike, si dhe ngritja e kulturës kibernetike në shoqëri.
“Duhet të punojmë me edukimin dhe ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë shqiptare,” deklaroi ajo.
Plani i Veprimit për zbatimin e kësaj strategjie parashikon një investim prej mbi 6.7 miliardë lekësh, për forcimin e infrastrukturës digjitale në vend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!