image Shpronësimi i qarkores së vjetër në Gjilan: Alban Hyseni tenton të arsyetohet, thotë se s'ka qenë me nguti të fillohet

Politikë

Shpronësimi i qarkores së vjetër në Gjilan: Alban Hyseni tenton të arsyetohet, thotë se s’ka qenë me nguti të fillohet

news image

Për shtatë javë, kryetari i Komunës së Gjilanit, i premtoi shtatë projekte. Ndër to, edhe shpronësimi dhe rindërtimi i qarkores së vjetër dhe shpronësimi dhe ndërtimi i qarkores së re. As njëri projekt e as tjetri nuk u realizua dhe për këtë kryetari Alban Hyseni gjeti një justifikim për vonesat. Në anën tjetër, banorët janë ankuar që tokat e tyre janë marrë, por kurrë s’u shpronësuan e as nuk u paguan, raporton Gazeta Sinjali.

Kanë kaluar dhjetë muaj që kur Alban Hyseni prezantoi projektin, për çka bëri të ditur se shpronësimi dhe rindërtimi i qarkores së vjetër kap vlerën e 2.7 milionë euro, ndërkaq shpronësimi dhe ndërtimi i qarkores së re – 27 milionë euro.

Shpronësimi i qarkores së vjetër, ai premtoi se do të paguhet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Padrejtësia çerekshekullore do të marrë fund për rreth 230 familje” – Premtimi i Alban Hysenit dhe justifikimi i tij

Në një prononcim për Sinjalin, Alban Hyseni e pranoi se janë vonuar për këtë projekt, duke u arsyetuar se nuk e kanë filluar “pa elaboratin e shpronësimit” dhe se ende po vazhdon evidentimi i pronave të cilat duhet të shpronësohen për projektin e qarkores së vjetër.

“Për qarkoren e vjetër, tashmë e kemi dërgu raportin e shpronësimit dhe po evidentohen saktësisht pronat të cilat duhet me u shpronësu, edhe po presim tash duhet të votohet edhe një herë në Qeveri miratimi paraprak, pasi që të votohet elaborati i shpronësimit për qarkoren edhe ne do t’i dërgojmë procedurat e tenderimit.

E vërtetë është që ka marrë kohë, mirëpo ne nuk kemi dashur të fillojmë projektin pa elaboratin e shpronësimit, sepse është obligim ligjor që të përfshihet edhe kjo punë në projektet e reja. Ndërkohë që duke e ditur se sa projekt i rëndësishëm dhe sa projekt i madh është kjo, për neve asnjëherë nuk ka qenë në nguti që të fillohet projekti dhe të përfundohet me probleme, ose të kemi probleme gjatë rrugës.

Tashmë e kemi vendimin për shpronësim, që është hapi kryesor dhe më i rëndësishëm, i kemi edhe udhëzimet që të zhvillohen normalisht procedurat pa pasur ndonjë problem”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit për Sinjalin.

Ndërkaq, akoma më mbrapa është realizimi i projektit për qarkoren e re në qytetin e Gjilanit, pasi tek tash, brenda disa ditësh, Hyseni tha se pritet të fillojë procedura e tenderimit për këtë qarkore.

“Për qarkoren e re, Qeveria para pak kohe ka nxjerrë një vendim, ku e ka aprovu shpronësimin e qarkores së re. Shpresoj shumë shpejt, edhe pak ditë, fillon procedura e tenderimit për qarkoren e re”, ka deklaruar Hyseni.

Disa nga banorët e prekur kanë folur në kushte anonimiteti për Sinjalin dhe janë ankuar se projektet po prezantohen e po ekspozohen vetëm për t’i publikuar, por asgjë s’kanë ndërmarrë për tokat e tyre.

Njëri prej tyre ka deklaruar se qe 20 vjet ua kanë marrë tokën, kurrë s’janë paguar dhe komuna vazhdon të premtojë e të mos realizojë asgjë.

“Qe 20 e kusur vjet u marrë toka për ndërtimin e qarkores, kurrë s’është pagu. Kryetari ka premtu më 4 shkurt që paguhet, e ende asgjë s’ka. Jemi rreth 200 familje, paratë kanë me u nda për këto familje, varësisht kujt sa i kanë marrë. Premtime po, por asnjë s’po realizohet e ata që po e pësojnë janë qytetarët”.

Sinjali ka dërguar pyetje edhe në MMPHI, por ende s’kanë kthyer përgjigje.

/GazetaSinjali/