image Shpërthen Vuçiq pasi Kurti emëroi një ministër serb, e quan terrorist

Politikë

Shpërthen Vuçiq pasi Kurti emëroi një ministër serb, e quan terrorist

news image

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka përdorur fjalor të vrazhdë ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pas emërimit të Nenad Rashiqit ministër për Kthim dhe Komunitete dhe Rada Trajkoviqit si këshilltare e ministrit Rashiq. Gjithashtu, në shenjë revolte, Vuçiq e ka anuluar pjesëmarrjen e tij të paralajmëruar në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.  

Kurtin dhe Rashiqin, Vuçiq i ka quajtur “terroristë lluma”.

“Ti terrorist llum, të kesh kujdes që të mos e lëndosh ndonjë serb me zgjedhjet që bën, sepse serbët dhe shteti serb do të dinë se si të përgjigjen. Dhe ty Evropë, turp të qoftë”, ka thënë ai.

Vuçiq ka thënë se përzgjedhja e Rashiqit dhe Trajkoviqit nga Kurti, tregon se ata duan përndjekjen, dëbimin dhe zhdukjen e serbëve nga Kosova.

“Çfarë ka bërë terroristi Albin Kurti, do të duhej ta marr dënimin e merituar nga BE-ja, por natyrisht kjo gjë nuk ka ndodhur”, ka deklaruar ai.

Sipas Vuçiqit, me këtë vendim, Kurti ka shkelur jo vetëm Marrëveshjen e Brukselit, por edhe ligjin ndërkombëtar. Ai ka thënë se Kurti ka zgjedhur “llumat më të këqinj serbë”.

“Më të këqinjtë, s’ka më të këqinj se Rashiqi dhe Rada Trajkoviqi. Ata nuk e kanë besimin e askujt në Kosovë, por e kanë besimin e terroristit llum Albin Kurtit dhe besimin e agjencive ndërkombëtarë që i kanë vendosur në ato pozita, duke menduar ta shkatërrojnë Serbinë dhe ta frikësojnë atë”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka konfirmuar se e ka anuluar pjesëmarrjen e delegacionit serb në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor, për shkak të ngjarjeve të sotshme në Kosovë.

/GazetaSinjali/