image Shpërthejnë tri zjarre brenda 24 orësh në rajonin e Prizrenit

Siguri

Shpërthejnë tri zjarre brenda 24 orësh në rajonin e Prizrenit

news image

Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur tri shpërthime zjarri në Prizren, njofton Gazeta Sinjali.

Rasti i parë ka ndodhur në fshatin Orcushë të Dragashit, ku rreth orës 12:30 të ditës së djeshme një qytetar kosovar ka raportuar në polici se një sipërfaqe prej 15 ari barishte i është përfshirë nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti i zjarrfikësve të cilët kanë lokalizuar zjarrin.

Rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, ku rreth orës 14:50, njësiti policor që ishte duke patrolluar ka vërejtur se janë duke u djegur rreth 10 ari drunjë dhe bimë barishtore.

“Zjarrfikësit janë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar”, thuhet në raportin e policisë.

Rasti i tretë ka ndodhur në orët e mbrëmjes në Zhur të Prizrenit, ku një mashkull kosovar ka raportuar se nga zjarri i është përfshirë një sipërfaqe shkurre dhe bari.

Zjarrfikësit kanë arritur që të lokalizojnë edhe zjarrin në Zhur, ndërsa nuk është raportuar për të lënduar.

Kujtojmë se me rrezikun nga zjarret po përballen edhe shtetet fqinje të Kosovës, ndërsa së fundmi autoritetet kosovare kanë autorizuar trupat e FSK-së që të ndihmojnë ekipet për shuarjen e zjarrit në Shqipëri. /Gazeta Sinjali/