Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e ka pritur në takim ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn dhe drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadanin.
Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për media me Zemajn, Ahmeti ka thënë se ia ka paraqitur disa kërkesa ministrit, ndërsa tregoi se pse po reduktohen testimet, shkruan Gazeta Sinjali.
“Testimet duhet të reduktohen, sepse nëse unë jam pozitiv, nuk ka gjasa me i testu 500 njerëz që i kam taku gjatë ditës”, tha Ahmeti.
Pamundësia e identifikimit të të gjithë personave me të cilët i infektuari ka pasur kontakt, sipas Ahmetit ka bërë që të testohen vetëm personat të cilëve u shfaqet simptomet.
Ahmeti ka thënë se do të ketë sërish raste të reja, ndërsa tha se pret valë të re të infektimeve.
“Unë pres që do të ketë tash valë të re të sëmundjes”, tha Ahmeti.
“Jemi të shqetësuar me rritjen e numrit të të infektuarve, por në anën tjetër mos pritni që nuk do të ketë raste të reja”, theskoi ai.
Ahmeti ka treguar se në fillim të pandemisë janë testuar më pak persona, për shkak që të ngadalësohet virusi dhe të analizohet më mirë.
“Në fillim ka qenë ideja që ta ngadalësojmë virusin që ta shohim se çfarë po ndodhë”, tha ai.
Siç tha Ahmeti, në Prishtinë aktualisht janë rreth 40 raste aktive me koronavirus. /Gazeta Sinjali