Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas lajmit se Xhamajka e ka njohur shtetin e Kosovës, e që më vonë u demantua nga ministrja e Jashtme e këtij shteti.
Ahmeti përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se rasti i njohjes së Xhamajkës është si shumë punë të tjera në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Rasti i njohjes së Xhamajkes është si shumë punë tjera në Kosovë. Kur është puna te merita, nuk i nxen kamera – Unë, Unë, Unë. Kur është pun ate faji nuk i nxen dera- Ai, ajo, jo Unë. Po e paramendoj me ndërru dicka prapë këto ditë prapë unë, unë”, ka shkruar i pari i Prishtinës në Facebook.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dje përmes rrjetit social Twitter, tha se Xhamajka e ka njohur shtetin e Kosovës. Këtë gjë e ka demantuar sot, ministrja e punëve të Jashtme e Xhamajkës, Kamina J Smith gjithashtu përmes Twitterit.
Rreth këtij demantimi ka reaguar sot zyra e presidencës, e cila ka thënë se ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, e ka njoftuar dje zyrtarisht presidentin Thaçi. Sipas tyre për detaje të tjera duhet të kontaktohet Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës./Gazeta Sinjali/