Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një shkrimi në Facebook, ka reaguar lidhur me arrestimin e një zyrtare të Komunës së Prishtinës e cila dyshohet se ka mashtruar konsumatorët duke lëshuar vërtetime të rrejshme për borxhe në tatim në pronë.
Ahmeti ka thënë se para dy jave gjatë një kontrolli të brendshme është vërejtur se janë lëshuar vërtetime të rrejshme për borxhet e tatimit në pronë.
Shkrimi i plotë i tij:
Para dy javësh, gjatë një kontrolli të brendshëm në komunën e Prishtinës, kemi gjetur se një zyrtare e tatimit në pronë, ka lëshuar vërtetime të rrejshme për borxhet e tatimit në pronë.
Këto vërtetime kërkohen për të regjistruar makina, dhe natyrisht se lëshimi i rrejshëm i vërtetimeve të tilla është shkelje ligjore.
Kam udhëzuar drejtoreshën e financave që zyrtaren ta denoncoi në polici dhe kemi filluar procedurat diciplinore. Si pasojë e denoncimit e njëjta zyrtare sot është shoqëruar në polici për vepër penale.
Si gjithmonë, nuk do të tolerojmë shkelje të tilla nga zyrtarët tonë pa marr parasysh pozitat e pasojat.