Çmimi i furnizmit me ngrohje nga Termokosi nuk do të lirohet për asnjë cent as këtë vit, ndonëse kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte premtuar në fushatë elektorale se do ta ulte tarifën e ngrohjes për metër katror, shkruan Gazeta Sinjali.
Zyrtarët për media nga Komuna e Prishtinës tashmë thonë se caktimi i çmimit për ngrohje nuk është kompetencë e komunës, por e ngrohtores.
“Ndërmarrja “Termokos” është implementuese e projektit të kogjenerimit dhe si ndërmarrje e pavarur e cakton edhe çmimin e furnizimit me ngrohje. Ata mund të ju tregojnë se në cilën fazë është projekti dhe ku janë duke u zhvilluar punimet në terren”, ka thënë për Gazetën Sinjali, Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës.
Në anën tjetër zyrtarë të kompanisë Termokos, kanë thënë për Gazetën Sinjali se përcaktimi i tarifave të energjisë termike është përgjegjësi ekskluzive e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila në sezonin ngrohës 2016/2017 i ka zbritur tarifat e energjisë ngrohëse për konsumatorët banesor për 7%, ndërsa për konsumatorët afaristë dhe institucionalë ka pasur një zbritje prej 5%.
“Tarifat e energjisë termike për konsumatorët banesor për metër katror janë 0.78 euro plus TVSH-ja, ndërsa për subjekte afariste dhe institucionale 0.97 euro plus TVSH”, ka thënë për Gazetën Sinjali, zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka.
Në kuadër të 100 premtimeve të kryetarit Shpend Ahmeti është listuar edhe zgjerimi i Termokosit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë duke përfshirë edhe lagjen e Ulpianës dhe Bregun e Diellit. Por, ky premtim nuk është realizuar ende as gjatë mandatit të dytë.
Zyrtarët e Termokosit kanë thënë për Gazetën Sinjali se këtë vit në rrjetin e ngrohjes do të kyçet një pjesë e lagjes “Kalabria” në saje të donacioneve të ndara nga Komisioni Evropian në vlerë të 8.3 milionë eurove për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes.
“ Sipas planit dinamik të hartuar nga kompania punëkryese dhe të miratuar nga “Termokos” punimet për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes do të zgjasin 18 muaj. Këtë vit në rrjetin e ngrohjes do të kyçen vetëm 20 objekte të lagjes “Kalabria”. Nga viti i ardhshëm projekti vazhdon të implementohet edhe për objektet tjera në lagjen ‘Ulpiana’, ‘Qendër’ dhe ‘Mati1’, ka deklaruar Uka.
Ajo ka paralajmëruar se furnizimi me ngrohje do të fillojë me kohë, në mesin e muajit tetor.
“Bazuar në aktet ligjore në fuqi fillimi i furnizimit me ngrohje për sezonin ngrohës 2019/2020 pritet të fillojë më 15 tetor, në rast se moti do të jetë në konditat klimatike të përcaktuara me këto akte ligjore. Parapërgatitjet për fillimin e sezonit ngrohës 2019/2020 janë në përfundim e sipër”, ka thënë Uka.
Nga ndërmarrja Termokos furnizohen me ngrohje rreth 13 mijë konsumatorë të kryeqytetit.Aktualisht borxhi i konsumatorëve ndaj kësaj ndërmarrjeje ka arritur rreth 16 milionë e 500 mijë euro.
Zyrtarët e Termokosit thonë se zyrtarët ligjorë janë duke u angazhuar në vazhdimësi që përmes padive dhe në bashkëpunim me përmbaruesit privatë të inkasojnë mjetet nga konsumatorët borxhlinj./Gazeta Sinjali/