Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kujtuar në tre vjetorin e vdekjes ish-aktivistin e Vetëvendosjes, Astrit Deharin si njeri punëtor, modestë si dhe person me zë të fortë për drejtësi e barazi.
Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka kujtuar momentet kur sipas tij Dehari takonte qytetarë të Prishtinës në gjendje të jo të mirë ekonomiko-sociale dhe kërkonte që t’u bëhej zgjidhje.
Ai ka thënë se vdekja e tij kishte ardhur deri sa po qëndronte padrejtësisht në burgun e Prizrenit.
Thuhet në njoftimin e Shpend Ahmetit:
Astrit Dehari ishte aktivist politik, aktivist i LVV, student shembullor dhe për një kohë edhe punëtor shembullor në Komunën e Prishtinës.
Përveç temave të drejtorisë së shëndetësisë, vinte te unë në zyre gjithmonë kur kishte takuar ndonjë qytetar në hall nga gjendja ekonomiko-sociale dhe mendonte se duhet t’i ndihmojmë. E shihte si qëllim jetësor ndihmën për njerëzit në nevojë.
Vdekja e tij në burgun e Prizrenit ku ishte dërguar dhe mbajtur padrejtësisht mbetet e pasqaruar. Dhe kjo është barrë jo vetëm për pushtetin e atëhershëm politik e administrativ, por barrë për secilin qytetar të Republikës. Barra dhe përgjegjësia veçse do të shtohen deri të zbulohen krejt rrethanat dhe krejt përgjegjësit e asaj çfarë ka ndodhur.
Por, sot, në tre vjetorin e vdekjes së hershme të Astritit, ta kujtojmë Astritin për njeriun që ishte, modest, punëtor, zë i butë për miqtë, e zë i fortë për drejtësi e barazi.
Shpirti ndjesë i past!/Gazeta Sinjali/