Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën e Shpejtim Bulliqit për një mandat të dytë si kryetar i komunës së Podujevës, në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen së shpejti. Vendimi është marrë gjatë një ceremonie solemne në zyrat e partisë në Podujevë, ku përveç Bulliqit, ishin të pranishëm kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deputetë dhe figura të tjera të rëndësishme të partisë në nivel lokal dhe qendror, shkruan Gazeta Sinjali.
Në fjalën e tij, Kurti lavdëroi punën dhe qeverisjen e Bulliqit, duke theksuar se Podujeva është një nga komunat më të suksesshme në vend për nga niveli i investimeve dhe projekteve të realizuara gjatë këtyre katër viteve. Ai tha se është “vështirë të gjendet komunë me kaq shumë investime cep më cep të territorit, nga qyteti deri në fshatra”.
Vetëvendosje përmendi një numër të gjatë projektesh që kanë ndryshuar rrënjësisht peizazhin e komunës. Ndër to përfshihen përfundimi i tre shkollave dhe nisja e punimeve në gjashtë të tjera, dyfishimi i numrit të çerdheve publike dhe ndërtimi i katër të tjera, si dhe krijimi i Kuzhinës Qendrore për furnizimin me ushqim të fëmijëve në shkolla dhe çerdhe.
Në fushën e sportit, u përmendën dy palestra të përfunduara, një tjetër në ndërtim, 7 fusha sportive të realizuara dhe dhjetë të tjera në proces. Një projekt i madh është edhe pishina gjysmë-olimpike, investim me vlerë 4 milionë euro që do t’i ofrojë komunitetit mundësi sportive të avancuara.
Në sektorin e shëndetësisë, janë ndërtuar urgjenca të reja dhe Qendra e Mjekësisë Familjare në disa fshatra, ndërsa po përfundon edhe Qendra Rezidenciale për të moshuar, ku do të ofrohen shërbime mjekësore dhe ushqimore për mbi 200 persona.
Gjithashtu, u përmendën punimet për rikonstruksionin e rrugëve kryesore dhe ndërtimi i mbi 150 kilometra rrugë të reja në gjithë komunën, përfshirë edhe progresi i dukshëm në ndërtimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Podujevë. Projekti i digës së Pollatës dhe impianti për trajtimin e ujërave të zeza janë dy investimet kryesore në fushën e mjedisit që pritet të fillojnë së shpejti.
“Zona industriale, tregu i gjelbërt dhe parkut bujqësor janë investime të tjera strategjike që do të forcojnë ekonominë lokale dhe do të krijojnë vende pune,” theksoi Vetëvendosje, duke shprehur bindjen se me Shpejtim Bulliqin në krye, Podujeva do të vazhdojë të jetë shembull i zhvillimit dhe investimeve në Kosovë.
Në fund, partia shprehu mbështetjen e plotë për kandidaturën e Bulliqit dhe siguroi qytetarët se do të angazhohen fuqishëm për ta mbështetur në zgjedhjet e ardhshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!