Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur fajtor Rinor Hykollin, duke i shqiptuar një vit burgim efektiv. Ai akuzohet se me dashje për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme i ka shkaktuar lëndime trupore viktimës Liridon Bajramit.
Lajmin për Sinjalin e kanë konfirmuar nga Gjykata në Gjilan.
Sinjali mëson se Hykolli e ka pranuar fajësinë për veprën që ka kryer, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas aktakuzës, “i pandehuri R.H., më 22 korrik 2021, rreth orës 00:40 minuta, në diskotekën Stop, në Gjilan, me dashje dhe me përdorimin e dhunës, për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, i ka shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B., duke e goditur me dorezë të revoles në pjesën e pasme të kokës, e më pas e ka goditur me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat i njëjti ka kërkuar tretman mjekësor.”