image Shpallet fajtor kërcënuesi i Ramush Haradinajt

Kosovë

Verdikti/ Shpallet fajtor kërcënuesi i Ramush Haradinajt

news image

Bledart Elashani, i akuzuar për kërcënimin e tashmë kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, në emër të ISIS-it është shpallur fajtor dhe është dënuar me 20 muaj burg nga Gjykata e Prishtinës.

Për veprën penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste” gjykata Elshanin e dënoi me 18 muaj burgim ndërsa për veprën ‘”armëmbajtje pa leje” ju shqiptua dënim me burgim prej 4 muajsh.

Gjykata i shqiptoi dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 20 muajsh në të cilin do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe dënim plotësues konfiskimin e thikës, telefonit ‘’Iphone’’ dhe USB. Në emër të paushallit gjyqësor dhe shpenzimeve procedurale u obligua të paguajë shumën prej 100 euro 15 ditë pasi aktgjykimi ta marrë formën e prerë.

Bledart Elshanit ju vazhdua masa e paraburgimit deri sa aktgjykimi ta marrë formën e prerë por jo më shumë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar. I njëjti u njoftua me të drejtën e apelimit ndaj verdikit gjyqësor në afat prej 15 ditës.

Bledart Elshani, 23 vjeçar, në seancën e djeshme e ka pranuar para gjykatës se ka bërë shtytje për kryerjen e veprave terroriste dhe ka mbajtur armë pa leje.

Sipas prokurorisë i akuzuari nga muajin gusht 2018 deri në muajin janar 2019, si administrator i kanalit ‘’Luajt e shkretëtirës’’ me anë të fotografive dhe incizimeve ka përkrahur haptazi veprimet e organizatës terroriste ‘’ISIS’’ për sulmet e fundit në botë dhe me datën 23.08.2018 kishte postuar foton e animuar me mbishkrim “Melodia e parapëlqyer e muhaxhidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”. Gjithnjë sipas aktakuzës me datën 10.01.2019 në kanalin e tij ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj me mbishkrimin “Do të ju vijë fundi o taguta shqiptarë bi’idhnilahë’’, i bërë nga një person i maskuar në prapavijë të së cilit shihet flamuri i ISIS-it. Pasi të akuzuarit Elshani i është ekzaminuar telefoni dhe një USB i janë gjetur fotografi, video me përmbajtje inkriminuese të kryera nga ISIS-i në luftën e Sirisë dhe Irakut.

Gjithnjë bazuar në aktakuzë me datën 11 janar 2019, pasi që i akuzuari u kontrollua nga ana e Policisë në Drenas rezultoi se kishte poseduar një armë të ftohtë thikë luftarake me gjatësi 24 cm dhe gjatësi tehu me gjemba 11 cm, duke kryer kështu veprën armëmbajtje pa leje./ Sinjali/