image Shoqërohet në Polici pronari i ‘Avicena’, bleu pajisje mjekësore të vjedhur në Maqedoni të Veriut

Ekskluzive

Shoqërohet në Polici pronari i ‘Avicena’, bleu pajisje mjekësore të vjedhur në Maqedoni të Veriut

news image

Alarmi për vjedhjen e një pajisjeje mjekësore e cila kushton hiç më pak se 45 mijë euro, ka aktivizuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut dhe ato të Kosovës. Persona të panjohur dyshohet se e kanë marrë tinëzisht atë në spitalet e Maqedonisë së Veriut dhe të njëjtën më pas e bënë pazar me pronarin e një prej poliklinikave më të njohura në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se pas veprimeve hetimore që u morën, u zbulua se makineria u shit te pronari i poliklinikës ‘Avicena’, Driton Shuki.

Shuki dyshohet se pajisjen mjekësore e cila u përfitua në mënyrë të kundërligjshme, e ka blerë për rreth 10 mijë euro nga personat të cilët ende nuk janë identifikuar nga organet e hetuesisë.

E gjashtë personat që u angazhuan nga Shuki ta bartin jashtë objektit të poliklinikës pajisjen e vjedhur, u kapën në flagrancë nga Policia e Kosovës. Që të gjashtit, bashkë me pronarin e ‘Avicena’ kanë përfunduar në stacion të Policisë ku janë intervistuar nga hetuesit policorë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Shuki është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’.

Për të marrë më shumë informacione se si u gjenden në gjithë këtë situatë, Sinjali ka provuar të kontaktojë dhe të marrë përgjigje zyrtare edhe nga poliklinika ‘Avicena’, mirëpo të njëjtit pavarësisht insistimit, kanë hezituar që të deklarohen.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/