Mbrëmë pas mesnate, rreth orës 00:30, 26 persona janë shoqëruar për në Polici, pasi të njëjtit u gjetën duke luajtur lojëra fati në një lokal në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Policia njofton se gjatë bastisjes dhe kontrollit në këtë lokacion ka gjetur dhe konfiskuar një armë dhe një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit kanabis.
“Personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor në Gjakovë dhe janë intervistuar. Bazuar në ligjin në fuqi të gjithë të dyshuarve iu është shqiptuar nga një gjobë për mosrespektimin e orës policore“, njofton Policia.
Sipas Policisë, në lidhje me rastin është informuar edhe prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij, iniciohen tri vepra penale “Organizimi i skemave piramidale dhe i bixhozit të paligjshëm” “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” për hetime të mëtejme në procedurë të rregullt.