image Shoqata e Gastronomëve të Kosovës sërish e pakënaqur me vendimin e Qeverisë

Kosovë

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës sërish e pakënaqur me vendimin e Qeverisë

news image

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur dje ka lehtësuar disa masa ndaj COVID-19. Në kuadër të masave të reja, gastronomisë u është zgjatur orari edhe për një orë, nga 22:30 sa ishte deri më 23:30. Ndërsa, nga ora 21:00 nuk lejohet muzika, shkruan Gazeta Sinjali.

Por, ndaj masave të reja të Qeverisë kanë reaguar nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, të cilët kanë shprehur pakënaqësi duke thënë se ndalimi i muzikës pas këtij orari është goditje e madhe për sektorin.

“Paragrafi 4, pika 2 e vendimit të ri, e ndalon muzikën prej orës 21:00 në subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë dhe e njëjta është goditje e madhe për sektorin duke konsideruar gjendjen aktuale ekonomike dhe pasojat e shkaktuara nga ndalesat në ushtrimin e afarizmit, gjë që shoqata jonë e kundërshton dhe kërkon që e njëjta të shfuqizohet”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

Tutje, nga SHGK-ja thonë se që nga paraqitja e pandemisë COVID-19 e deri më tani, nuk ka pasur asnjë mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj bizneseve nga institucionet e vendit, por vetëm ndaj punëtorëve me anë të Pakos Emergjente, për të cilën thonë se është zbatuar me shumë lëshime.

Reagimi i plotë pa ndërhyrje:

Në paragrafin 4 të Vendimit Nr. 01/32 të marrur mbrëmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sqarohet rregullimi i ri i funksionimit të sektorit të Gastronomisë.

Në të tashmë u kuptua që funksionimi i subjekteve të gastronomisë, ndalohet nga ora 23:30 deri në orën 05:00, e cila ka qenë kërkesë e jona që të ndryshohet si dhe lëvizja e qytetarëve e cila tashmë është e pakufizuar në kohë. Kjo e fundit ishte kërkuar nga ne më së shumti duke u bazuar në politikat ndëshkuese me gjoba, sidomos ndaj punëtorëve të sektorit tonë, ngase të njëjtit sipas Vendimit të dt. 28.07.2020, tashmë të shfuqizuar, ishin të lejuar që në të njëjtën kohë të punojnë dhe të qarkullojnë në hapësira të jashtme si persona fizikë, duke qenë e pamundshme të respektojnë orarin e lejuar me Vendim.
Gjithashtu, lejimi i ushtrimit të aktiviteteve shërbyese në hapësira të brendshme ka qenë i shumëkërkuar dhe domosdoshmëri e kohës.

Mirëpo paragrafi 4, pika 2 e Vendimit të ri, ndalon muzikën prej orës 21:00 në subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë, dhe e njëjta është goditje e madhe për sektorin duke konsideruar gjendjen aktuale ekonomike dhe pasojat e shkaktuara nga ndalesat në ushtrimin e afarizmit, gjë që shoqata jonë e kundërshton dhe kërkon që e njëjta të shfuqizohet.

Që nga paraqitja e Pandemisë COVID-19 e deri më tani, nuk kemi pasur asnjë mbështetje të drejtëpërdrejtë ndaj bizneseve nga institucionet tona, por vetëm ndaj punëtorëve me anë të Pakos Emergjente, dhe ajo me shumë lëshime në zbatimin e saj.

Gjendja aktuale në vendin tonë sa i përket sektorit që mbulojmë dhe për të cilin avokojmë është tepër shqetësuese. Si rrjedhojë e masave të ushtruara nga ana e institucioneve të Kosovës, shumë biznese rrezikojnë të mbyllen.

E rëndë është edhe gjendja politike në vendin tonë. Kjo më së miri dëshmohet me dështimin e votimit për herë të tretë në lexim të parë të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Gjersa partitë politike të vendit tonë gjejnë mospajtime për interesa vetanake, ne i vuajmë pasojat e veprimeve të tyre dëmshme e qesharake.

SHGK ju bën apel institucioneve përkatëse të vendit, që sa më pak të shkaktojnë dëm e regres e sa më shumë të ofrojnë ndihmë e progres në gjendjen që po kalojmë, e cila do të ndjehet edhe më shumë tani e tutje, me uljen e temperaturave atmosferike.

Andaj, në mirëkuptim dhe konsideratë ndaj situatës së krijuar, kërkojmë nga ana juaj që të trajtoni me prioritet të lartë kërkesat tona dhe të ofroni ndihmë ndaj bizneseve më të goditura në vend.

Poashtu zotohemi, që me prioritet të lartë do të kujdesemi që sektori i gastronomisë do të respektojë Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19, duke shkaktuar sa më pak dëm e regres në gjendjen aktuale.

Me garancë për sektorin e gastronomisë, nuk do të ndalemi duke ju dëshmuar që për interesin e përbashkët gjithmonë do të luftojmë.

Ju faleminderit të gjithëve për përkrahjen tuaj!

Me respekt,
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës

/Gazeta Sinjali/