Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar përsëri nga deputetët e Kuvendit ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike në seancën e jashtëzakonshme që pritet të mbahet këtë të premte, shkruan Gazeta Sinjali.
“Shoqata e Gastronomëve të Kosovës përveç që ju bën thirrje për votimin e Projektligjit këtë të premte, po ashtu kërkon që sektori i gastronomisë duhet të prioritizohet nga sektorët e tjerë në kuptim të mbështetjes financiare (duke marrë parasysh gjendjen alarmante të pasqyruar nga të dhënat e cekura më lartë)”, thuhet në postimin e kësaj shoqate në llogarinë e tyre në Facebook.
“Andaj, domosdoshmërish mjetet që pritet të destinohen për sektorin privat nga ky Projektligj në vlerë prej 200 milion euro, duhet të ndahen në proporcion me dëmet që janë shkaktuar nga pandemia dhe masat e qeverisë në secilën industri përkatëse, e jo njëjtë për të gjithë sektorët”.
“Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk do të mund t’i mbijetojnë kësaj situate, dhe 56% e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna, që i bie të kontribojë në 5.5% rritje të shkallës së papunësisë në Kosovë apo 9,950 punëtorë të tjerë”, thuhet tutje.