image Shoqata e Gastronomëve bën thirrje që të votohet buxheti nesër në Kuvend

Biznes

Shoqata e Gastronomëve bën thirrje që të votohet buxheti nesër në Kuvend

news image

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës e ka quajtur lajm të mirë miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike edhe pse sipas tyre votimi i tij u vonua relativisht gjatë duke konsideruar periudhën e vështirë të pandemisë COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në Facebook, thuhet se kalimi i këtij ligji i ka dhënë një frymëmarrje më të lehtë ekonomisë së vendit, përkatësisht sektorit të gastronomisë.

“Kjo për arsye sepse disa nga nenet e përfshira në këtë ligj, janë të lidhura direkt me ndarjet buxhetore të cilat përcaktohen nga Projektligji mbi ndarjet buxhetore. Është paralajmëruar që ky Projektligj, nesër do të paraqitet në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për t’u votuar. Nëse i njëjti nuk votohet nga Kuvendi deri me dt. 31.12.2020, atëherë mund të autorizohet vazhdimi i zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal, i cili në rastin tonë nuk e parasheh mbështetjen e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, dhe i cili mund të zbatohet deri në tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal”, thuhet në njoftim.

Sipas gastronomëve ekonomia ka nevojë që sa më shpejtë të përkrahet, dhe kjo nuk duhet të vihet në vështirësi nga moskalimi i këtij Projektligji.

“Andaj, ju bëjmë thirrje që ky Projektligj të shpallet në këtë vit ‘Ligj’, duke paraparë zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike menjëherë në janar të vitit të ardhshëm, kështu, duke i këndellur sadopak disa prej industrive më të goditura të vendit tonë, e veçanërisht atë të gastronomisë, si më i prekuri nga të gjithë”, përfundon njoftimi.

/Gazeta Sinjali/