image Shmangie tatimore/ Firmës së Martin Berishajt i bllokohen xhirollogaritë në Mal të Zi

Rajon

Shmangie tatimore/ Firmës së Martin Berishajt i bllokohen xhirollogaritë në Mal të Zi

news image

Firmës “MB Consulting” të Martin Berishajt, ambasadorit kosovar në Kroaci që është përfshirë në skandalin 600 mijë eurosh të parave nga GEN-I Beograd, i janë bllokuar xhirollogaritë. 

Qarkullimi i kompanisë ishte qindra mijëra eurosh gjatë viteve 2019 dhe 2020, por në fund i mbeti borxh Administratës Tatimore në shtetin malazias.

Mbi 600 mijë euro nga kompania GEN-I, dega në Beograd ishin transferuar te firma “MB Consulting”, pronë e ambasadorit kosovar në Kroaci.

Televizioni Planet TV raportoi se ato ishin dhënë për të ndikuar në procesin zgjedhor në Slloveni.

Deri tash Ambasadori Berishaj ka mohuar këtë pjesë, por nuk ka treguar se përse u pagua nga GEN-I Beograd, dhe se pse i tërhoqi ato para dhe ku i dërgoi ato.

Përtej këtij zhvillimi, Insajderi merr vesh që autoritetet malaziase kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve ndaj firmës së Berishajt. Xhirollogaritë e kësaj firme në shtetin e Malit të Zi tashmë janë bllokuar.

Vendimi ishte marrë në shtator të vitit të kaluar.

Arsye e këtij veprimi nga shteti është që firma ka borxh tatimor.

Mbi 31 mijë euro është shuma e borxhit nga mospagesa e tatimit në fitim nga firma e Berishajt. Kjo shumë e llogaritur e borxhit të tatimit në fitim tregon se Berishaj ka pasur fitime prej qindra mijë eurove brenda një viti nga afarizmi në Mal të Zi.

Lidhja e Berishajt me Golobin

Golob që akuzohej për shpëlarje parash me Berishajn fitoi me numër rekord mandatesh. Pas 90,11 për qind të votave të numëruara, partia Lëvizja e Lirisë është në krye (33,9% dhe 40 vende), e ndjekur nga SDS (24,2%, 29 vende), NSi (7%, tetë vende) dhe SD në parlament. 6.6%, 7 mandate) dhe e majta (4.1% dhe 4 mandate).

Partia Lëvizja e Lirisë e udhëhequr nga Robert Golob, që u akuzua para disa ditëve nga mediat sllovene për një skandal financiar, ku i përfshirë ishte edhe një ambasador i Kosovës.

Televizioni slloven, Planet TV ka raportuar për një implikim të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në një skandal financiar. Sipas televizionit, Berishaj kishte pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” një shumë prej 600 mijë eurosh nga dega në Beograd e kompanisë “GEN”, e të cilat pretendohet se i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë kandidatit për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob.

Këto pretendime i ka mohuar Berishaj, duke paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi. Presidenca i ka kërkuar raport dhe e ka ftuar për sqarime në Kosovë ambasadorin, pasi paraprakisht presidentja Vjosa Osmani ka thënë se i beson versionit që Berishaj e ka dhënë në Facebook.

Opozita në Kosovë ka kërkuar dorëheqjen e tij.

/GazetaSinjali/