Shpërthimi i virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos po vazhdon të përkeqësohet, teksa numri i viktimave ka kaluar shifrën 200 dhe rastet e infektimit janë në rritje.
Sipas përditësimit të fundit të Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), janë konfirmuar 875 raste me Ebola, ndërsa 202 persona kanë humbur jetën që nga shpallja e shpërthimit më 15 maj. Shkalla e vdekshmërisë aktualisht vlerësohet në 23 për qind.
Virusi po përhapet kryesisht në provincat lindore Ituri, Kivu i Veriut dhe Kivu i Jugut, me Iturin që përbën afro 95 për qind të rasteve të regjistruara.
Ndërkohë, në Ugandën fqinje janë konfirmuar 19 raste, përfshirë dy viktima.
Africa CDC ka bërë të ditur se janë rritur kapacitetet për testim dhe mbikëqyrje dixhitale, me qëllim identifikimin më të shpejtë të rasteve dhe frenimin e përhapjes së virusit.
Drejtori i Përgjithshëm i Africa CDC, Jean Kaseya, ka paralajmëruar se shpërthimi aktual mund të marrë përmasa më të mëdha se epidemia e Afrikës Perëndimore në vitet 2014-2016, e cila shkaktoi mbi 11 mijë viktima në Guine, Liberi dhe Sierra Leone, nëse transmetimi i virusit nuk vihet nën kontroll sa më shpejt.
Të enjten, ministri i Shëndetësisë i Kongos, Roger Kamba, vizitoi qytetin Bunia në provincën Ituri për të vlerësuar reagimin ndaj situatës, sfidat me të cilat po përballen autoritetet dhe masat e reja për përshpejtimin e kontrollit të sëmundjes.
Sipas shkencëtarëve nga Uganda dhe Kongo, lloji aktual i virusit, Ebola Bundibugyo, ka origjinë nga një përhapje e re në jetën e egër. Ata kanë përjashtuar mundësinë që ky shpërthim të lidhet me ndonjë epidemi të mëparshme që mund të ketë mbetur e pazbuluar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!