image Shkarkohet zv/dekani i Inxhinierisë së ndërtimeve pasi foli kundër qeverisë për tërmetet

Dokument/ Shkarkohet zv/dekani i Inxhinierisë së ndërtimeve pasi foli kundër qeverisë për tërmetet

news image

Zv.dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Agim Seranaj, është shkarkuar këtë të premte pa asnjë motivim. Në rrjetet sociale është publikuar edhe urdhri i firmosur nga dekani Neritan Shkodrani.

Profesor Seranaj, njihet si një nga profesionistët dhe ekspertët më të mirë në vend, për shkak të eksperiencës së tij në këtë fushë, ka qenë pjesë e ekipeve shtetërore të vlerësimit, për të bere ekspertim të çerdheve dhe kopshteve apo edhe institucioneve të tjera.

Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi thotë se ndryshe nga drejtuesit militantë apo ekspertët servilë, Prof Seranaj, ka folur publikisht për situatën aktuale të ndërtesave duke evidentuar në mënyrë profesionale keqmenaxhimin nga ana e institucioneve të situatës pas tërmetit dhe duke mbrojtur interesin publik.

Sipas saj Rama ka vendosur të censurojë jo vetëm mediat, me anë të paketës që sapo kaloi në parlament, por edhe çdo zë kritik që nxjerr zbuluar përgjegjësinë direkte të tij në numrin e madh të viktimave por edhe të ndërtesave e pallateve të shembura nga tërmetet.

“Tashmë ka vendosur të hakmerret edhe ndaj ekspertëve më të njohur duke urdhëruar shkarkimin e tyre nga detyra për shkak se i kanë prishur propagandën që kishte përgatitur. Dënoj me forcë veprimin e paligjshëm dhe prej ushtari politik të Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit Neritan Shkodrani, i cili pa dinjitet dhe integritet profesional, i është nënshtruar urdhrit politik të Edi Ramës, duke cenuar rëndë autonominë universitare” – thotë Vokshi, shkruan Laps.al.

Pak ditë më parë Sernaj tha se tërmeti i 21 Shtatorit ne na dha shenja që kemi probleme, por sikur u nxituam që të themi ne nuk kemi probleme.

“Dhe shumica e zërave, pas tërmetit të 21 Shtatorit u munduan të thonë me krenari që nuk kemi probleme, se ky ishte një tërmet i fortë dhe nuk pati dëme. Në fakt edhe ai tërmet që nuk ishte i fortë, i dha shenjat që në disa objekte duhet të ndalemi për të bërë ekspertizë se ato kanë probleme dhe i kishin. Kështu edhe ky tërmeti tani, na tregon këtë gjë se në Tiranë ka probleme me shumë objekte, për tërmete më të fuqishëm se ky”, – deklaroi pak kohë më parë në një intervistë televizive profesor Seranaj./Gazeta Sinjali/