Shkëlzen Gashi, ish-këshilltari i kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se është intervistuar nga portali kroat “Novosti”, lidhur me rrethanat e shkarkimit të tij nga detyra.
Gashi ka thënë se ndaj tij është ngritur një fushatë linçuese pas deklaratës në të cilën kishte thënë se disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime ndaj civilëve serb, qëndrim ky i cili ka ngjallur reagime të shumta në mbarë vendin, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, ai ka folur vetëm të vërtetën, ndërsa beson se kryeminstri Kurti nuk e di që edhe individë nga radhët e UÇK-së, madje edhe ata që janë në pozita të larta, kanë qenë të përfshirë në krime.
“Pra, ajo u bë në radhë të parë kundër Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga kundërshtarët e tij të jashtëm, të cilëve iu bashkuan edhe nacionalistë virulentë brenda partisë së tij, të cilët i përkufizon mirëfilli George Orëell kur thotë: «nacionalistët jo vetëm nuk i pranojnë krimet e kryera nga pala vetjake, por kanë aftësi të mrekullueshme as mos me ndi për to». Për shkak të kësaj trysnie, Kryeministri Kurti më kërkoi të dorëhiqem. Nuk pranova, sepse kisha folë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Kështu, ai më liroi nga detyra, por nuk besoj se ai nuk e di që edhe individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, kanë qenë të përfshirë në krime. Prandaj, nuk mund të them se më liroi për shkak se dallojmë në këtë pikë. Ishte thjesht mënyra se si vendosi të manovronte përbrenda turbulencave politike që u shkaktuan”, ka thënë Gashi për “Novosti”.
Më tej, ai ka shtuar se “shoqëria kosovare nuk duhet ta mohojë se gjatë luftës në Kosovë, e sidomos mbas përfundimit të saj, individë të frustruar nga krimet e tmerrshme të forcave serbe, e edhe pjesëtarë nga radhët e UÇK-së, madje në pozita të larta, kanë qenë të përfshirë në vrasje të civilëve të përkatësive të ndryshme etnike e edhe politike.”./GazetaSinjali/
Postimi i Shkëlzen Gashit i plotë:
Këtu e keni versionin shqip të intervistës time që u botua sot në gazetën ‘Novosti’ në Kroaci:
Shoqëria kosovare nuk duhet t’i mohojë krimet e pjesëtarëve individualë të UÇK-së
Analist dhe autor i disa librave, Shkëlzen Gashi është ndër të paktët në jetën publike politike në Kosovë që nuk heshtë për krimet kundër sërbëve atje. Deri pak javë më parë ishte këshilltar politik i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Mirëpo, pasi që Gashi në një intervistë televizive më 24 Prill 2020 foli për krimet e disa pjesëtarëve të UÇK-së kundër civilëve sërbë, jo-shqiptarë e edhe kundër shqiptarëve që ishin kritik ndaj UÇK-së – duke shtuar se disa pjesëtarë të UÇK-së të përfshirë në këto krime «ishin në pozicione drejtuese» – Kurti e pushoi nga puna që të nesërmen, duke thënë se është «më mirë që debatin në të cilin është përfshirë të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim». Deklaratat e Gashit provokuan reagime të ashpra në publikun e Kosovës dhe ai mori kërcënime me vdekje.
NOVOSTI: Ju e njihni Albin Kurtin që nga paslufta – në vitin 2004 ju e ndihmuat atë për ta themeluar Lëvizjen Vetëvendosje!. Fakti që ai ju largoi nga pozita e këshilltarit të tij, a tregon për dallimet në pikëpamjet mes jush për të kaluarën dhe për krimet që kanë bërë pjesëtarë të UÇK-së?
GASHI: Në një intervistë televizive deklarova se edhe individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta në strukturën e saj, sipas raporteve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, kanë kryer krime lufte. Gjetjet e Fondit për të Drejtën Humanitare në projektin «Libër Kujtimi i Kosovës», të udhëhequr nga Nataša Kandić, pohojnë se nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, në Kosovë kanë humbur jetën dhe/ose janë zhdukur 10,093 civilë, nga ta 8,645 shqiptarë, 1,013 serbë, 262 romë, ashkali dhe egjiptianë, 84 boshnjakë dhe 203 të përkatësive të tjera etnike.
Menjëherë pas intervistës sime, mediume të afërta me ‘partitë politike’ që e kanë sunduar Kosovën për gati dy dekada, shpërndanë masivisht një montazh insertesh prej saj nëpër rrjete sociale e kanale televizive, në një fushatë të egër linçuese kundër meje, me shpifjen se kisha deklaruar që UÇK-ja ka kryer krime. Kjo fushatë e orkestruar nuk kishte të bënte vetëm me këto qëndrime të miat, që i mbaj tash dy dekada, e që janë të sakta, por me momentet politike nëpër të cilat po kalojmë.
Pra, ajo u bë në radhë të parë kundër Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga kundërshtarët e tij të jashtëm, të cilëve iu bashkuan edhe nacionalistë virulentë brenda partisë së tij, të cilët i përkufizon mirëfilli George Orwell kur thotë: «nacionalistët jo vetëm nuk i pranojnë krimet e kryera nga pala vetjake, por kanë aftësi të mrekullueshme as mos me ndi për to».
Për shkak të kësaj trysnie, Kryeministri Kurti më kërkoi të dorëhiqem. Nuk pranova, sepse kisha folë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Kështu, ai më liroi nga detyra, por nuk besoj se ai nuk e di që edhe individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, kanë qenë të përfshirë në krime. Prandaj, nuk mund të them se më liroi për shkak se dallojmë në këtë pikë. Ishte thjesht mënyra se si vendosi të manovronte përbrenda turbulencave politike që u shkaktuan.
NOVOSTI: Ju keni theksuar se 1,013 civilë serbë u vranë, dhe se në këto krime janë përfshinë pjesëtarë të lartë të UÇK-së. Ju gjithashtu thatë që raporti i Dick Marty – i cili flet për trafikimin e organeve njerëzore – nuk mund të vlerësohet në përgjithësi si antishqiptar. Deklaratat tua shkaktuan një zemërim publik në Kosovë, për shembull, ju u shoqëruat nga policia për të dhënë intervistë për TV Klan Kosova. Duket se shoqëria kosovare nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën dhe të pranojë që u kryen krime edhe kundër serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë – krime që kishin pasojë që gjysma e 200 000 serbëve që qëndruan në Kosovë deri në qershor 1999 u larguan nga shtëpitë e tyre?
GASHI: Shoqëria kosovare nuk duhet ta mohojë se gjatë luftës në Kosovë, e sidomos fill mbas përfundimit të saj, individë të frustruar nga krimet e tmerrshme të forcave sërbe, e edhe pjesëtarë nga radhët e UÇK-së, madje në pozita të larta, kanë qenë të përfshirë në vrasje të civilëve të përkatësive të ndryshme etnike e edhe politike. Për këto vrasje patën reaguar shumë organizata prestigjoze ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që më parë raportonin edhe për shkeljet e të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës nga ana e autoriteteve sërbe – vrasjet e afro 10 mijë shqiptarëve civilë, përdhunimet e mijëra grave, deportimin e gati një milion shqiptarëve, djegien e shkatërrimin e rreth 100 mijë shtëpive, e me radhë.
Në Raportin e Dick Marty-t nuk ka kurrfarë tendence për t’i barazuar krimet e gjithë makinerisë shtetërore të Sërbisë kundër shqiptarëve të Kosovës me krimet e disa pjesëtarëve të UÇK-së kundër civilëve sërbë e të përkatësive të tjera etnike e politike. Fundja, këto krime as që mund të krahasohen. Duket ashiqare se qëllimi i këtij raporti ishte të mos heshteshin këto krime. Prandaj, jo. Raporti i Dick Marty-t nuk duhet pa si antishqiptar. Ai është thjesht një dokument që raporton për krime.
NOVOSTI: Cilat janë pengesat më të mëdha për të përballuar të kaluarën dhe si duhet të trajtohen ato – ju po përpiqeni të krijoni një muze për krimet e luftës?
GASHI: Shqiptarët dhe sërbët i kujtojnë vetëm krimet e palës së kundërt. Pikat më të rëndësishme të historisë së Kosovës nën okupimin sërb, në harkun kohor 1912-1999, janë krimet e palës sërbe, të organizuar në ushtri e polici të rregullt, si dhe në forca paramilitare, kundër shqiptarëve; si dhe krimet e shqiptarëve, kryesisht prej individëve të paorganizuar, kundër sërbëve.
Është e vërtetë se gjatë vitit të kaluar u angazhova për themelimin e një Muzeu për Krimet e Luftës 1998-1999 në Kosovë, që do të ketë për qëllim: t’i përkujtojë viktimat, pa dallim etnie, gjuhe, feje, gjinie, rreshtimi politik, etj; t’i nderojë familjarët e viktimave të luftës në Kosovë; të shërbejë si pjesë e kujtesës kolektive; si institucion edukativo-informativ për breznitë; por edhe si institucion informativ për gazetarë, diplomatë, politikanë, studiues, e turistë. Deri në fund të këtij viti planifikoj ta përfundoj dokumentimin e të gjitha masakrave të kryera gjatë luftës në Kosovë.
NOVOSTI: Shpesh përmendet se politikanët kryesorë të Kosovës që erdhën nga radhët e UÇK-së shantazhohen nga fakti se emrat e tyre përmenden në kontekstin e krimeve të luftës. Duket se kjo është arsyeja pse ata i binden kërkesave të fuqive perëndimore – dhe nga ana tjetër Perëndimi toleron korrupsionin e tyre dhe abuzimin e institucioneve të Kosovës. Si do ta komentonit këtë?
GASHI: Është mjaft indikative se fill pas intervistës sime, eksponentë të partive politike që e sunduan Kosovën për dy dekada, të maskuar si gazetarë e analistë, deklaruan se duhet të ketë amnisti të krimeve të kryera më 1998-1999. Pra, ‘politikanët’ që ju përmendni, për të shpëtuar veten, duan t’i falin krimet që i kemi pësuar nga Sërbia e Milošević-it. Prandaj, populli i Kosovës përgjithësisht, e në veçanti familjarët e viktimave – të vrarëve, të zhdukurve, të përdhunuarve, të burgosurve, të keqtrajtuarve – me fatin e të cilëve u bë politikë, duke u shtrembëruar deklarata ime, assesi nuk duhet ta pranojnë amnistinë e të bien pre e këtyre që tash e 20 vjet keqpërdorin vuajtjet e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së.
Bashkësia ndërkombëtare do të duhej të na ndihmonte ta riçlirojmë Kosovën, kësaj radhe nga politikanët që i nxori lufta, të cilët deri dje nuk kishin asnjë metelik në xhep e sot janë milionerë, ngaqë me metoda kriminale na i kanë ngulur thonjtë në degët e pakta të ekonomisë. Por, për fat të keq, duket se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, duke qenë e interesuar vetëm për stabilitet politik, ka lidhur pakt me këta politikanë të kriminalizuar.
NOVOSTI: Në vitin 2020 u bënë akuzat e para nga Gjykata Speciale në Hagë për anëtarët e UÇK-së, megjithëse përmbajtja e tyre është ende sekrete. Ju keni shkruar që themelimi i Gjykatës është pasojë e mosgatishmërisë së Kosovës për t’u marrë me krimet e luftës të kryera nga krerët e UK-së. Çfarë prisni nga kjo gjykatë?
GASHI: Disa, për ta mbrojtë vetveten, po përpiqen ta portretizojnë Gjykatën Speciale si sulm mbi luftën e Kosovës për liri ose mbi UÇK-në si organizatë. Kjo është, thënë më së buti, e pakuptimtë. Ne duhet ta shfrytëzojmë Gjykatën Speciale për ta pastruar UÇK-në dhe Kosovën nga kriminelët, por edhe për satisfaksion moral të familjarëve të viktimave e për korrektim të kriminelëve. Gjithmonë kam pasur një lloj rezerve për Gjykatën Speciale, se mund të përdoret për t’i shantazhuar ‘politikanët’ e Kosovës, por prej fillimit kam qenë pro themelimit të saj, sepse duhet vënë drejtësi për viktimat e të gjitha komuniteteve. Me këtë dërgojmë një mesazh edhe për konfliktet e armatosura eventuale – le të shpresojmë e të punojmë që të mos ndodhin kurrë – se kushdo që kryen krime ndaj popullatës civile, do të dënohet.
Hetimi dhe akuzat nuk janë drejtuar ndaj UÇK-së, por ndaj individëve. UÇK-ja nuk ishte organizatë kriminale, por për fat të keq, individë nga radhët e UÇK-së, me pozita të larta madje, sipas prokurorit amerikan Clint Williamson, e kanë (keq) përdorë armatimin dhe infrastrukturën e UÇK-së për të kryer krime. Fakti se zyrtarë të lartë të UÇK-së kanë qenë të përfshirë në krime, nuk i bën të gjithë pjesëtarët e UÇK-së kriminelë, sikur që fakti se udhëheqësit politikë që e sunduan Kosovën për dy dekada janë të korruptuar, nuk e bën të gjithë popullin e Kosovës të korruptuar. Pjesëtarët e UÇK-së duhet të distancohen nga individët që kanë qenë të përfshirë në krime.
P.S.
Falënderoj shumë Gazmend Bërlajollin për redaktimin, Florent Rizvanollin për përkthimin, si dhe të gjithë miqtë tjerë – janë shumë e më vjen keq që nuk mund t’i përmend të gjithë – që më dhanë vërejtje, këshilla, propozime, sugjerime e rekomandime për përgjegjet e mia. Ju du fort.