Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve (BPD) të KEK-ut ka marrë vendim që të lirojë nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeshefit Ekzekutiv, Luigj Imeri, shkruan Gazeta Sinjali.
Në vend të Imerit, u.d i Kryeshefit Ekzekutiv është emëruar Përparim Kabashi, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK.
“Në këtë vazhdë, BPD gjithashtu ka marre vendim që të liron nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv, Luigj Imeri. Ndërsa në pozitën e u.d. të Kryeshefit Ekzekutiv ka emëruar Përparim Kabashin, aktualisht Drejtor i Njësisë Qendrore për Planifikim dhe Strategji në KEK”, thuhet në njoftim.
Kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Musa Misini se arsye e shkarkimit është se Imeri ka qenë nëntë muaj ushtrues detyre dhe se kanë dashur të bëjnë një “reciklim”.
“Nuk ka kurrgjë tjetër veç asaj që e keni pa në mjetet e informimit. Ai ka qenë ushtrues i detyrës për nëntë muaj. Kemi mendu që me Ushtrues Detyre të mos mbajmë peng pozitat e larta dhe me njëfarë forme të bëjmë një lloj reciklimi, asgjë të veçantë s’ka. Ai ka qenë drejtor i mirë, i ka kry detyrat sipas angazhimeve që i ka pasë me vendim, s’ka diçka të veçantë”, ka thënë Misini për Gazetën Sinjali.
Tutje ka premtuar se shpejt do të ketë konkurs për drejtor, i cili sipas tij po mbahet peng për shkak të pandemisë.
“Konkurs për drejtor duhet të ketë patjetër dhe të gjithë duhet t’iu nënshtrohen procedurave të rekrutimit. Qeveria e ka të nënshkrume një marrëveshje me qeverinë britanike për asistim dhe rekrutim, por për shkak të pandemisë ata nuk po munden me marrë pjesë. Unë po shpresoj që shpejt do të ketë një konkurs”, ka deklaruar tutje Misini.