Ismet Ahmeti është shkarkuar të premten nga pozita e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, shkruan Gazeta Sinjali.
Lidhur me shkarkimin e tij, sot ka reaguar Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, të cilët vendimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve, po e vlerësojnë ndërhyrje për interesa politike.
Nga kjo sindikatë thonë se Ahmeti ka qenë ndër udhëheqësit më të suksesshëm të kësaj ndërmarrjeje, andaj konsiderojnë se bordi ka vepruar me urdhra politikë e partiakë.
“Konsiderojmë se shkarkimi i z.Ahmetit është ndërhyrje për interesa politike, të cilat dëmtojnë konsumatorët, respektivisht banorët e Komunës së Gjakovës, si dhe të gjithë zonës së shërbimit të Ujësjellësit KRU ‘Gjakova’, meqenëse Ismet Ahmeti ishte një ndër udhëheqësit më të suksesshëm të kësaj kompanie, ku projekte madhështore morën hovë gjatë menaxhimit të tij.”
“Duke marrë parasysh të gjitha këto të arritura nga menaxhimi i z.Ahmeti, ne nuk mund ta cilësojmë ndryshe ndërhyrjen e shkarkimin e Kryeshefit të kompanisë KRU ‘Gjakova’, përveç se ky Bord ka vepruar me urdhra politikë e partiakë, duke mos u brengosur për mirëqenien e qytetarëve, duke vepruar për qëllimi dhe përpjekje për përfitime të ulëta politike. Shpresojmë dhe besojmë se institucionet relevante do të marrin masat e duhura dhe të reflektojnë kundrejt kësaj padrejtësie që i është bërë Ujësjellësit KRU ‘Gjakova'”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Ditën kur u shkarkua nga kjo pozitë, Ahmeti tha për Sinjalin se arsyeja e shkarkimit të tij është vetëm fakti që ai ka qenë “kryeshefi më i suksesshëm në rajon, që 10 vjet”./Gazeta Sinjali/