Lodhja është një ndjesi që na shoqëron në faza të ndryshme të jetës. Puna, shkolla, angazhimet familjare dhe ato shoqërore mund të kontribuojnë në ndjesinë e vazhdueshme të mungesës së energjisë.
Edhe pse ndonjëherë lodhja është normale, nëse ajo bëhet e përhershme dhe pa një arsye të qartë, mund të jetë shenjë e një problemi shëndetësor. Më poshtë gjeni 7 arsyet kryesore pse mund të ndiheni të lodhur gjatë gjithë kohës:
Anemia – Anemia shkaktohet nga mungesa e rruazave të kuqe të gjakut, që janë përgjegjëse për transportimin e oksigjenit nga mushkëritë në qeliza. Kjo gjendje mund të vijë si pasojë e mungesës së hekurit, vitaminave, gjakderdhjes, problemeve me veshkat apo sëmundjeve të tjera si artriti dhe tumoret.
Simptomat e saj përfshijnë: lodhje të vazhdueshme, vështirësi në përqendrim, pagjumësi, rrahje të shpejta të zemrës, dhimbje koke dhe në kraharor.
Dehidratimi – Mungesa e lëngjeve ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e trupit dhe të trurit. Studimet tregojnë se truri fillon të tkurret kur nuk merr ujë mjaftueshëm. Dehidratimi shkakton lodhje, acarim, mjegullim të mendjes, enjtje të gishtave, tharje të lëkurës dhe dhimbje koke.
Çrregullimet e tiroides – Tiroidja prodhon hormone që rregullojnë metabolizmin. Kur këto hormone dalin jashtë balancës, edhe aktivitetet më të thjeshta duken të lodhshme. Nëse përjetoni lodhje të pashpjegueshme, është e nevojshme të bëni një kontroll të funksionit të tiroides.
Diabeti-Diabeti i tipit 2 prek miliona njerëz në botë, shpesh pa u diagnostikuar në kohë. Kjo sëmundje ndikon në mënyrën se si trupi përpunon glukozën. Në mungesë të energjisë së nevojshme, ndiheni të lodhur vazhdimisht. Shenjat e tjera përfshijnë: etje të shtuar, uri, humbje peshe, irritim, mjegullim të shikimit dhe infeksione të shpeshta.
Depresioni – Depresioni ndikon në gjumin, ushqimin dhe emocionet. Ai mund të shkaktojë ndjesi të vazhdueshme lodhjeje, pashprese, mungesë motivimi, probleme me përqendrimin dhe kujtesën. Nëse keni humbje interesi për aktivitetet që dikur ju pëlqenin, ndjeni faj të pashpjegueshëm apo ndiheni të pavlerë, është koha të kërkoni ndihmë profesionale.
Apnea e gjumit – Ky çrregullim karakterizohet nga ndërprerje të shkurtra të frymëmarrjes gjatë natës, që prishin cilësinë e gjumit. Simptoma tipike janë: gërrhitja, zgjimi i lodhur, dhimbje koke në mëngjes dhe përgjumje gjatë ditës. Nëse nuk trajtohet, apnea e gjumit mund të shkaktojë probleme serioze si tension i lartë, sëmundje të zemrës dhe ishemi.
Mungesa e vitaminave dhe mineraleve – Trupi ka nevojë për sasi të balancuara të vitaminës B12, B6, magnezit dhe kaliumit për të prodhuar energji. Mungesa e tyre shkakton lodhje dhe dobësi të përgjithshme.
Ushqimet që ndihmojnë: spinaqi, avokadoja, farat e kungullit dhe lulediellit, bananet, drithërat, vezët, fasulet, bizelet dhe frutat e thata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit