image Shitblerja e diplomave njollë në arsimin universitar në Kosovë, ekspertët fajësojnë edhe profesorët

Arsim

Shitblerja e diplomave njollë në arsimin universitar në Kosovë, ekspertët fajësojnë edhe profesorët

news image

Universitetit të Prishtinës duket se çdo ditë e më shumë po i bie “nami”. Krejt kjo si pasojë e jo seriozitetit që studentët po tregojnë viteve të fundit. Një trend i cili po zhvillohet tash e sa kohë është edhe shitblerja e diplomave, ku tre vite studim mund të përmbyllen me një diplomë e cila kushton jo më shumë se 200 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Tregtia me diploma është fakt shqetësues. Mjafton vetëm një hulumtim nëpër rrjete sociale dhe në lidhje me këtë dukuri të shfaqen faqe të ndryshme online me oferta për tema të diplomës. Çmimet e tyre variojnë nga lloji i temës, numri i faqeve dhe kohës kur iu duhet e përfunduar.

Redaksia ka kontaktuar me një faqe të tillë, të cilët nuk e kanë mohuar se ofrojnë tema të ndryshme diplome.

Këta kanë bërë të ditur se nëse e rezervojmë temën para 1 muaji mund të kemi zbritje rreth 150 euro, por, çmimi konkret është 200 euro për çdo temë.

Ata kanë bërë me dije se pagesa bëhet përmes Money gram. Dhe gjatë tërë kohës së përgatitjes së temës, studenti është në kontakt dhe i informuar për shtjellimin e temës deri në përfundim.

Sinjali në lidhje më këtë fenomen që prek integritetin e arsimit në vendin tonë, ka kërkuar sqarim për masat që i merr Rektorati i Universitetit të Prishtinës për studentët, të cilët identifikohen se kanë bërë falsifikim/mashtrim në përgatitjen e temës së diplomës.

“Në nëntor të vitit 2020, Senati ka miratuar Deklaratën për punë autentike të studentit, e cila duhet t’i bashkëngjitet secilit punim të diplomës, i cili dorëzohet në UP. Me nënshkrimin e kësaj deklarate, studenti me përgjegjësi deklaron se punimi nuk është prezantuar për vlerësim apo botuar më parë, pjesërisht apo në tërësi, pranë këtij apo ndonjë institucioni tjetër, si dhe punimi i paraqitur është origjinal dhe është punuar në tërësi nga kandidati dhe nuk është kopje e ndonjë punimi të marrë në internet apo bibliotekë”, kanë thënë për Sinjalin nga Rektorati.

Ndërsa, sa i përket ndonjë rasti specifik të ndodhur, këta të fundit nuk na kanë dhënë detaje. Por, vetëm se UP-ja këtë veprimtari e dënon në bazë të Rregullores së miratuar në vitin 2021 nga Këshilli Drejtues, ku parashihen procedurat dhe masat disiplinore për studentët që bëjnë shkelje të tilla.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit për Studime të Arsimit “EdGuard”, Rinor Qehaja, për Gazetën Sinjali është deklaruar se shitblerja e temave te diplomës, do të vazhdoj përderisa institucioni nuk ndëshkon dhe nuk vetëdijeson studentët.

“Kjo dukuri na dëshmon edhe njëherë për qëllimin e vërtetë të shumë studentëve – studime vetëm sa për tu pajisur me diplomë. Është përgjegjësi e institucioneve të arsimit të lartë që të instalojnë mekanizma llogaridhënës që parandalojnë, identifikojnë dhe ndëshkojnë mashtruesit” u shpreh ai.

Ai, tutje ka thënë se pesha bie edhe mbi mentorin e temës, në këtë rast profesori, i cili duhet të ketë vlerësim të detajuar në përcjelljen e rrugëtimit të punimit.

“Këtu një rol shumë të fuqishëm luan edhe profesori mentor, i cili po të kishte përkushtimin në vlerësim të detajuar të temave të diplomës në mentorim, padyshim që do të mund të dallonte punimet e kontraktuara dhe atë vetëm duke përcjell rrugëtimin në zhvillim të punimit nga studenti” ka thënë Qehaja.

Ndërkohë, Sinjali ka kontaktuar edhe me kryesinë e Parlamentit Studentor, të cilët janë shprehur se e dënojmë ashpër një fenomen të tillë dhe janë të gatshëm, në bashkëpunim me menaxhmentin e Rektoratit të UP-së, të nisim procedura që do të parandalonin një gjë të tillë.

Gjatë kësaj periudhe që udhëheqim me Parlamentin Studentor, nuk është që kemi dëgjuar apo hasur në rastet kur një student ka paguar për përfundimin e Temës se Diplomës, mirëpo sido që të jetë, ne do punojmë intensivisht në bashkëpunim me menaxhmentin e Rektoratit te UP-së, që të mos vijmë në situata të tilla, të cilat përveç që do zbehin rëndësinë e Diplomës, do zbehte edhe figurën e Universitetit”, thanë ata për Sinjalin.

Sipas tyre është e pakuptimtë dhe e papranueshme që në institucionin kryesor të arsimit të lartë në Kosovë të ketë studentë që ndjekin studimet për vite me radhë dhe në fund të paguajnë për Temën e Diplomës.

/GazetaSinjali/