Mbrëmë, Gazeta Sinjali raportoi se kanalet sportive ‘Arena Sport’ kanë transmetuar një spot kërcënues, i cili lidhet me rastin e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
“E mbajmë mend”, u tha në spotin e kanaleve që transmetohen edhe nga disa operatorë kabllorë ne Kosovë, teksa nuk munguan as lavdet për terroristët që mbetën të vrarë në aksionin e Policisë në Banjskë.
Rreth këtij raportimi, sot është deklaruar kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Jeton Mehmeti, i cili tha se pas mbledhjes së provave të nevojshme, të martën do të vendoset për rastin në fjalë.
“Mbrëmë jemi lajmëruar nga qytetarë të shumtë se disa nga operatorët e shpërndarjes që janë të licencuar nga KPM po transmetojnë në platformat e tyre video mesazhe kërcënuese për rendin dhe sigurinë kombëtare. Sot kemi filluar menjëherë me mbledhjen e provave. Nesër i analizojmë gjetjet kurse të martën vendosim për rastin në mbledhjen e Komisioni”, ka shkruar ai.
Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serb, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Në aksionin në Banjskë të Zveçanit, nga përleshja e armatosur me Policinë kanë mbetur të vrarë tre terroristë, teksa janë arrestuar tetë prej tyre.
Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
NATO-ja ka shtuar forcat në veri.