Ish-futbollisti i Chelseat dhe Ukrainës, Andriy Shevchenko, i ka kërkuar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) të ndalojë sportistët rusë dhe bjellorusë të konkurrojnë në Lojërat Olimpike të 2024-ës.
Në një postim në Facebook, Shevchenko i bëri thirrje IOC të “dënojë fuqishëm” luftën e “agresionit” të Rusisë dhe të mos lejojë atletët rusë dhe bjellorusë të konkurrojnë “derisa lufta në Ukrainë të përfundojë”.
“Nuk ka politikë në sport. Por kjo luftë është më shumë se vetëm politikë”, tha ai.
“Nëse atletët nga Rusia ose Bjellorusia hyjnë në arenë, me ose pa flamuj, kjo pasqyron këtë deklaratë nga Komiteti Olimpik për të gjithë botën – lufta ka mbaruar, ju mund t’i falni të gjithë dhe të harroni gjithçka.
Por lufta nuk ka mbaruar. Lufta çdo ditë shkatërron qytetet tona, shkatërron fëmijërinë e fëmijëve tanë dhe kërcënon ekzistencën tonë”, deklaroi ai.
Ministrat e sportit që përfaqësojnë Letoninë, Lituaninë, Estoninë dhe Poloninë lëshuan një deklaratë më herët gjatë ditës së sotme duke u bërë thirrje organeve ndërkombëtare të sportit të ndalojnë sportistët rusë dhe bjellorusë të konkurrojnë në Lojërat Olimpike dhe ngjarje të tjera, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon.
Në deklaratë thuhet:
Përpjekjet për të kthyer atletët rusë dhe bjellorusë në garat sportive ndërkombëtare nën vellon e neutralitetit legjitimojnë vendimet politike dhe propagandën e përhapur të këtyre vendeve.
Volodymyr Zelenskiy ka thënë se lejimi i Rusisë për të konkurruar në Lojërat e 2024 do të ishte i barabartë me të treguar se “terrori është disi i pranueshëm”, ndërsa këshilltari i tij Mykhailo Podolyak ka akuzuar IOC për “promovim të dhunës, vrasjeve masive, shkatërrimit”.
IOC ka thënë se “hedh poshtë në termat më të fortë të mundshëm këtë dhe deklarata të tjera shpifëse. Ato nuk mund të shërbejnë si bazë për ndonjë diskutim konstruktiv”.