Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të tentim vrasjes që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Gjilan, ku një person ka therur me thikë dy të tjerë, pas një mosmarrëveshje që nisi në njërën nga kazinotë që veprojnë afër Karaçevës. Policia ka nisur hetimet për këtë rasr dhe ka shpallur në kërkim të dyshuarin, i cili akoma nuk është hapur.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që po dyshohet në lidhje me këtë rast është Valmir Salihu, 25-vjeçar, i cili ka arritur t’iu shpëtojë prangave të Policisë dhe tashmë ndodhet në arrati.
Konflikti mes tij dhe dy viktimave dyshohet se kishte nisur në kazino e më pas kishte vazhduar në qytetin e Gjilanit. Sipas informacioneve të para, i dyshuari i kishte përcjellë viktimat, derisa ndaluan me veturën e tyre te pompa Alba Petrol dhe aty ua zuri pritën. Njëri prej tyre mbeti i lënduar rëndë dhe po trajtohet në QKU, kurse viktima tjetër ka pësuar lëndime të lehta.
Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për t’i bërë ekzaminimet e nevojshme, derisa ende nuk dihen motivet e mosmarrëveshjes që çuan në konflikt palët.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe ndërmarrjen e veprimeve për arrestimin e të dyshuarit.
Sinjali do të ju mbajë të informuar për detajet e reja.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.