Gripi sezonal në Kosovë është duke marrë përmasa të mëdha. Nga tetori i vitit të kaluar deri në shkurt të këtij viti sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik kanë ndërruar jetë gjashtë persona, nga gjithsej 214 të prekur nga ky grip, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Klinika Infektive e QKUK-së, të cilët njoftuan se katër prej tyre kanë pasur sëmundje kronike të mëhershme.
E në bazë të këtyre statistikave Instituti ka shpallur edhe gjendjen epidemike me gripin sezonal, por është deklaruar se është nën kontroll. “Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, pritet të vazhdojë intensitet i lartë edhe muajin e ardhshëm”, thuhej në njoftimin e IKSHPK-së.
Kosova, aktualisht, është radhitur nga mekanizmat ndërkombëtarë në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë dhe ka cilësi të ajrit të pashëndetshme, e në disa ditë gjatë vjeshtës dhe dimrit, cilësia e ajrit bëhet e rrezikshme për shëndetin e njeriut./GazetaSinjali/