Një studim i ri sugjeron se shëndeti i zemrës së nënës para dhe gjatë shtatzënisë mund të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës, ka raportuar The New York Post.
Studiuesit analizuan më shumë se 8.000 gra shtatzëna, duke vlerësuar shëndetin e tyre kardiovaskular bazuar në faktorë si ushqyerja, aktiviteti fizik, gjumi, pesha trupore, tensioni i gjakut, niveli i yndyrës së dëmshme në gjak, niveli i sheqerit në gjak dhe duhanpirja.
Rezultatet treguan se vetëm 8.8 për qind e fëmijëve të nënave me shëndet të mirë të zemrës kishin vonesa në zhvillim në moshën katërvjeçare. Ndërkohë, kjo shifër u rrit në 16.8% te fëmijët e nënave me shëndet më të dobët kardiovaskular.
Sipas studimit, gratë me shëndet të dobët të zemrës kishin 62 për qind më shumë gjasa të kishin fëmijë me vonesa në zhvillim.
“Shtatzënia nuk është si Las Vegasi, ku ajo që ndodh aty mbetet aty. Ajo që ndodh gjatë shtatzënisë ka pasoja afatgjata jo vetëm për nënën, por edhe për fëmijën”, ka thënë doktoresha Evelina Grayver, drejtoreshë e shëndetit të zemrës për gratë në Northwell Health
Sipas saj, shëndeti i zemrës së nënës ndikon në mënyrën se si furnizohet placenta me gjak, oksigjen dhe lëndë ushqyese, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e trurit dhe organizmit të fetusit.
Studimi ka zbuluar se shëndeti më i dobët kardiovaskular lidhej me vonesa në komunikim, lëvizje, zgjidhje problemesh dhe aftësi sociale, ndërsa ndikimi më i madh u vu re te aftësitë personale dhe sociale.
“Optimizimi i shëndetit të zemrës para dhe gjatë shtatzënisë mund të jetë një nga mundësitë më të hershme që kemi për të ndikuar pozitivisht në shëndetin afatgjatë të nënës dhe fëmijës”, ka thënë Grayver.
Ekspertët theksojnë se shumica e sëmundjeve kardiovaskulare mund të parandalohen.
“Kardiologjia është mjaft e thjeshtë. Rreth 80 për qind e sëmundjeve të zemrës mund të parandalohen, ndërsa vetëm 20 për qind lidhen me faktorë gjenetikë”, ka thënë mjekja.
Për të përmirësuar shëndetin e zemrës, ekspertët rekomandojnë ushqim të shëndetshëm, aktivitet fizik të rregullt, gjumë cilësor, mbajtjen nën kontroll të peshës, tensionit të gjakut, kolesterolit dhe sheqerit në gjak, si dhe shmangien e duhanit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!